Vendosni fjalën kyçe....

Ndihma ruse për “armiqtë” e Ballkanit të Hapur


Nga Mero Baze

Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm rus, ka bërë më në fund entuziastë “patriotët shqiptarë. Lavdërimet që ai ka dërguar në adresë të projektit “Ballkani i Hapur”, një ditë para takimit të Ohrit, ku ishte konfirmuar pjesëmarrja e SHBA dhe Bashkimit Europian, u dhanë krah “armiqve” të “Balkanit të Hapur”, duke e konsideruar projektin interes të Rusisë.

Aq qesharak është entuziasmi i tyre, sa edhe prezenca e komisionerit të Bashkimit Europian për Zgjerim, Vahrleyi dhe mbështetja për “Ballkanin e Hapur” në emër të Bashkimit Europian, edhe fjala në takim e të dërguarit special të SHBA, Escobar, që inkurajoi bashkëpunimin ekonomik në rajon përmes këtij procesi, filluan të interpretohen si politikë ruse.

Por kjo është ana folklorike e këtij debati. “Ballkani i Hapur” nuk është një projekt ekzekutiv, që ka një ditë fillimi, një datë mbarimi, një buxhet, apo një kosto të caktuar.

“Ballkani i Hapur” është një proces që synon t’i mbajë vendet e rajonit nën tensionin e bashkëpunimit me njëra- tjetrën dhe jo nën paranojën e luftës me njëra- tjetrën. Në një farë mënyre, është një gjimnastikë kundër nacionalizmit dhe proceseve izoluese në Ballkan.

Nëse “Ballkani i Hapur” nuk do kishte kundërshtarë në Ballkan, ai nuk do ishte i nevojshëm. Ai është i nevojshëm pikërisht pse ka ende probleme që bien ndesh me tendencën e këtij procesi.

Dhe kjo është e gjithë filozofia e këtij procesi, që të fusin në ndërveprim me njëri- tjetrin vendet e Ballkanit perëndimor që kanë probleme të trashëguara nga historia dhe të çlirojnë bashkëpunimin ekonomik, nga këto probleme. 

Por kur Sergei Lavrov e lavdëron “Ballkanin e Hapur”, dy ditë para se BE dhe SHBA ta mbështesë atë në një takim në Ohër, nuk ka parasysh se i duhet “Ballkani i Hapur”, por ka parasysh pikërisht këta idiotët tanë të dobishëm, që të duartrokasin kundër tij. 

Por nga ana tjetër, deklarata e Lavrovit ja ka bërë një shërbim “Ballkanit të Hapur”, pasi ka forcuar vendosmërinë e BE dhe SHBA për të qenë prezentë aty.

I gjithë diversioni i Lavrovit sillet rrotull Serbisë dhe mënyrës se si atë të mos e lënë nën ndikimin perëndimor. Por njësoj janë po kaq të vëmendshëm në këtë pikë dhe Brukseli dhe Uashingtoni.

Nga pikëpamja e rreziqeve apo përftimeve rajonale, natyrisht vende si Serbia, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, e kanë më të lehtë të jenë nismëtarë të këtij procesi, pasi janë përfitues nga bashkëpunimi ekonomik.

Kosova, Bosnja dhe Mal i Zi, kanë probleme vërtet serioze me historinë e tyre në raport me Serbinë, por jo vetëm me historinë. Kosova ka ende probleme komunikimi normal me Serbinë, me një histori të shëmtuar targash në kufij, ku veturat që kalojnë nga Serbia në Kosovë, dhe anasjelltas, maskohen sikur të jenë alienë të zbritur në tokë.

“Ballkani i Hapur” nuk i zgjidh dot të gjitha këto probleme, pasi ato mund të zgjidhen përmes procesesh edhe më të rëndësishme, siç është integrimi në BE, dhe krijimi i standardeve europiane në rajon.

Por “Ballkani i Hapur” nuk i acaron më tej këto probleme, nëse ka vullnet të mirë. Kosova me Serbinë kanë shkëmbime të mëdha tregtare shumë herë më tepër se Shqipëria me Serbinë, dhe në këtë pikë, “Ballkani i Hapur” është kryer me kohë. 

Protagonizmi Albin Kurtit kundër “Ballkanit të Hapur” është politik dhe më shumë se sa më Serbinë, ka lidhje me Shqipërinë. Ai vuan nga ideja fikse se vendimet për botën shqiptare duhet t’i marrë ai dhe fakti që Shqipëria e ka marrë këtë vendim, para atij, e ka bërë atë armik të kësaj nisme. E thënë në mënyrë më banale, ai e ka inatin me Edi Ramën dhe jo me Vuçiqin në këtë histori.

Me atë shkëmbim tregtar dhe kapitalesh që ka Kosova me Serbinë, Shqipëria nuk e arrin dot me “Ballkanin e Hapur” as pas dy dekadash, por nëse “Ballkani i Hapur” funksionon, në të gjithë shtetet e rajonit, shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë, natyrisht do orientohen më tepër drejt Shqipërisë. Kjo gjë ja prish gjakun Albin Kurtit, për shkak të delireve që ka si “Baba i Kombit”. 

Por nuk ka asgjë reale për t’u shqetësuar. Ideja e “Ballkanit të Hapur” bën më shumë punë se vet funksionimi i “Ballkanit të Hapur”. Bën punë pasi identifikon problemet në Ballkan dhe tregon tendencat nga po mban rajoni, nga bashkëpunimi apo konfrontimi. Dhe për kaq ja vlen si nismë lokale. 

Siç shihet lehtë dhe nga zhvillimet në Mal të Zi, qëndrimi ndaj kësaj ideje është më shumë qëndrim personal liderash se sa ndonjë interes kombëtar. Dhe në Ballkan, gjithmonë konfliktet kanë qenë interesa personale liderësh se sa interesa kombëtare. Slobodan Milosheviq e shkatërroi interesin serb në Kosovë me protagonizmin e tij dhe vet përfundoi në koshin e historisë me përpjekjen për të futur Ballkanin në luftë.

Imituesit e rinj të tij, do të kenë të njëjtin fat, kudo qofshin, në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri apo Kosovë. Dhe në këtë pikë, përkrahësit e “Ballkanit të Hapur” mund të mos bëjnë asgjë, por së paku s’do të bëjnë luftë. Kjo nuk është pak në Ballkan. Mbi të gjitha kjo nuk e gëzon Lavrovin.