Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim bën bashkë Metën e Bashën, mban darkë me Xhaçkën dhe gjithë ish-ministrat e jashtëm (VIDEO)


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka mbledhur në një darkë të veçantë të gjithë ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991.

Kështu, të pranishëm ishin edhe kreu i shtetit Ilir Meta si dhe ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Sikurse vihet re në pamjet e publikuara nga Ambasada Amerikane, diplomatja amerikane ka ulur në krah saj Metën si dhe ish-ministrin socialist Ditmir Bushati.

Ndërsa Basha është ulur në krah të ish-ministrit socialist Kastriot Islami si dhe ish-ministrit të LSI-së, Edmond Haxhnasto. 

Postimi i Ambasadës Amerikane

Si pjesë e festimeve tona për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Ambasadorja Yuri Kim pati nderin të ftojë të gjithë Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991, për një darkë të veçantë në Shtëpinë Ryerson.

Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e dhëna nga secili prej Ministrave në zhvillimet dhe arritjet historike të Shqipërisë, përfshirë përparimin e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, rrugëtimin e Shqipërisë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryesimin e OSBE-së dhe sigurimin e një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mbi të gjitha, ajo falënderoi Ministrat për rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke kujtuar se të gjithë ata – diplomatë amerikanë dhe shqiptarë – kanë fatin që të mund të ndërtojnë mbi punën e paraardhësve dhe detyrimin për të hedhur bazat për pasardhësit e tyre.

Përgëzime për miqësinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Gëzuar, edhe njëqind!

Grupi ngriti gjithashtu edhe një dolli për të nderuar ata të cilët nuk mundën t’i bashkoheshin mbrëmjes, Muhamet Kapllani, Alfred Serreqi, Besnik Mustafaj dhe Gent Cakaj.