Vendosni fjalën kyçe....

Armand Duka ia shet të drejtat televizive të Kombëtares Aleksandër Frangajt (dhe loja për të përjashtuar RTSH-në)


Pak kohë me parë Gazeta TemA publikoi disa video-regjistrime nga një mbledhje aksionarësh ku tregonte mënyrën mafioze se si shiteshin të drejtat televizive të ndeshjeve të futbollit në vendin tonë.

Në fokus ishin aksionerët kryesorë të Super Sportit, Armand Duka, Aleksandër Frangaj dhe Edmond Leka, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin “debatonin” rreth blerjes së të drejtave të transmetimit të Serisë A për të përfituar të tre, duke dëmtuar dhe përjashtuar aksionarët e tjerë.

Kjo skemë mes presidentit të FSHF-së Aramand Dukës dhe pronarit të Tv Klan Aleksandër Frangaj ka vijuar sërish, me të njëjtat metoda trukimesh e përfitimesh personale të të dy palëve.

Armand Duka ka vendosur që të drejtat televizive të Kombëtares shqiptare për katër vitet e ardhshme t’ia shesë ortakut të tij, Aleksandër Frangajt.

Blerja e të drejtës televizive nga TV Klani i Aleksandër Frangajt ka qenë e planifikuar, duke përjashtuar nga gara RTSH-në.

Burime kanë bërë me dije se dyshja Duka-Frangaj për ta përfituar personalisht këto të drejta televizive, ia dyfishuan vlerën e te drejtes televizive Radio Televizionit Publik Shqiptar.

E gjitha është bërë në momentet e fundit nga Armand Duka që vendosi të dyfishojë vlerën për RTSH-në në mënyrë që t’ia beje te pamundur blerjen e të drejtës televizive duke e përjashtuar nga gara dhe për t’ia dhuruar atë ortakut të tij, Aleksandër Fragajt.

Vendi jonë në këtë mënyrë bëhet një nga shtetet e vetme që për interesa klienteliste të dy personave Armand Duka dhe Aleksandër Frangaj, ndeshjet e Kombëtares dhe ato të kampionatit vendas nuk i jepen RTSH-së, për shkak të përfitimeve personale të asaj dysheje. 

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Gazeta TemA