Vendosni fjalën kyçe....

Anëtarja e KPK-së Elteda Çiftja paraqitet në SPAK, akuza për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh


Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Etleda Çiftja është paraqitur sot në SPAK për t’u njohur me akuzën.

Çiftja mësohet se po hetohet për dy akuza, atë të deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë, si dhe për falsifikimin dokumentesh.

Pavarësisht se është marrë si e pandehur nga SPAK, ajo vijon të ushtrojë detyrën pranë KPK-së.

Dyshimet për Çiftjen janë se ajo ka falsifikuar një dëshmi për nivelin e gjuhës angleze. Ndërsa sa i takon akuzës së ngritur për deklarim të rremë, dyshohet se ka një tokë arë në Kavajë të cilën nuk e ka deklaruar.

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK.

Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit.