Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mesazh për ditëlindjen e PS: Nano bëri përpjekje për ta reformuar, sot me Ramën shndërruan Tiranën në një Beograd të vogël


Kreu i PD-së Sali Berisha ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale me rastin e 31-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste.

Ai e nis mesazhin e tij duke thënë se Partia Socialiste kremton sot si parti-shtet përvjetorin e ndërrimit të emrit.

Berisha thotë se ish-lideri Fatos Nano bëri përpjekje me një grup të rinjsh ta reformojë PS-në, por sipas tij kryeministri Edi Rama më pas e ktheu në një parti antikombëtare “që shndërroi Tiranën në Beogradin e Vogël që u shet shqiptarve interesat e Serbisë për interesa të Shqipërisë, dhe që duke zbatuar platformen e Vaso Çubrilliviçit, përzuri në 4 vite 540 mijë shqiptarë nga Shqipëria.”

Berisha thotë se kjo parti, me në krye Edi Ramën, ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë dhe si parti shtet, dhe instaloi pas 31 viteve, monizmin e plotë në Shqipëri.

MESAZHI I PLOTË I BERISHËS

Partia Socialiste kremton sot si parti-shtet përvjetorin e ndërrimit të emrit!
Të dashur miq,

Sot, partia e PPSH feston ditën e pagëzimit të saj të tretë me emrin që mbart sot.
Ajo u themelua më 8 nëntor të vitit 1941 nga serbët Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha si Partia Komuniste e Shqipërisë. Për shkak të genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që kreu gjatë luftës si një parti terroriste e vërtetë, pas lufte emri u ndërrua nga PKSH në Partia e Punës së Shqipërisë dhe përsëri për shkak të genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që ajo si parti-shtet, nën udhëheqjen e diktatorit gjakatar Enver Hoxha kreu për dekada në pushtet, u detyrua që më 12 qershor të vitit 1992, të ndryshojë emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë.
Pas disa përpjekjeve të bëra nga Fatos Nano dhe një grup të rinjsh për reformimin e saj, kjo parti nën udhëheqjen e Edi Ramës është shndërruar përsëri në një parti-shtet e lidhur gjerësisht në kreun e saj, me drogen, krimin dhe vjedhjet e mëdha të fondeve dhe pasurive publike.
Kjo parti sot, nën drejtimin e Edi Ramës kremton përvjetorin e ndërrimit të emrit si parti e veprave më të zeza dhe mynxyrës së vërtetë kombëtare si parti antikombëtare që shndërroi Tiranën në Beogradin e Vogël që u shet shqiptarve interesat e Serbisë për interesa të Shqipërisë, dhe që duke zbatuar platformen e Vaso Çubrilliviçit, përzuri në 4 vite 540 mijë shqiptarë nga Shqipëria.
Kjo parti, me në krye Edi Ramën, ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë dhe si parti shtet, instaloi pas 31 viteve, monizmin e plotë në Shqipëri!
Këto 9 vite në pushtet, Partia Socialiste mbylli dyert e BE-së për Shqipërinë!
Edi Rama, në krye të PS me lidhjet e tij të krimit, shnderroi Shqipërinë në epiqendër operative të organizatave kriminale të rajonit, Europës, Amerikës së Veriut e Amerikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme.