Parlamenti i Ukrainës i njohur ndryshe si “Verkhovna Rada” ka regjistruar një projekt-ligj të paraqitur nga Kabineti i Ministrave për zgjerimin e aksesit në barnat mjekësore të kanabisit për trajtimin e një sërë sëmundjesh.
Sipas Ukrinform, projektligji që rregullon qarkullimin e bimëve të kanabisit për qëllime mjekësore, industriale, veprimtari shkencore dhe teknike për të krijuar kushte për zgjerimin e aksesit të pacientëve në trajtimin e kancerit dhe çrregullimeve të stresit post-traumatik të shkaktuar nga lufta, vendos gjithashtu kontroll të rreptë mbi kultivimin, prodhimin dhe shitjen e drogës.
Deputetja Olha Sovhyria, tha në një postim në Telegram se aktivitetet për qarkullimin e këtyre barnave do t’i nënshtrohen licencimit vetëm në objektet dhe ambientet e specifikuara në licencë.
Veprimtaritë për kultivimin dhe (ose) përdorimin e bimëve medicinale të kanabisit mund të kryhen vetëm nga persona juridikë nëse kanë licencën e duhur brenda kuotave të përcaktuara nga Kabineti i Ministrave.
Sovhyria tha se projektligji nuk parashikon legalizimin dhe qarkullimin e lirë të kanabisit, as përjashtimin nga përgjegjësia për qarkullimin e paligjshëm të kanabisit ose drogave të tjera narkotike, e as reduktimin e një përgjegjësie të tillë.
Ministria e Shëndetësisë pret që Parlamenti të mbështesë miratimin e këtij projektligji për të lehtësuar simptomat e më shumë se 50 gjendjeve patologjike.