Vendosni fjalën kyçe....

U fut për t’u larë në detin e minuar, 50-vjeçari në Ukrainë shpërthen para familjarëve


Një burrë është hedhur në erë disa metra larg plazhit në Odessa ndërsa po lahej.

Momenti i tmerrshëm është publikuar fillimisht në mediet lokale dhe nga policia e qytetit ukrainas, e më pas edhe në ato ndërkombëtare.

Burri 50-vjeçar po notonte pavarësisht paralajmërimeve për të mos notuar në brigjet e mbushura me mina të Ukrainës. Gjithçka ka ndodhur në sy të familjes së tij.

Pamjet e shpërndara nga policia e rajonit të Odessa tregojnë shpërthimet e papritura disa metra larg bregut, duke shpërndarë pjesët e trupit të 50-vjeçarit përgjatë plazhit, ndërsa gruaja, djali dhe shoku i tij shikonin.

Edhe pse nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin, noti në zonë është i ndaluar për shkak të minave të vendosura gjatë luftës së vazhdueshme ruse.

Shoku i viktimës kishte qenë duke notuar me të në atë kohë, por mbeti i padëmtuar nga shpërthimi.

Policia e rajonit të Odessa tha në një deklaratë të shtunën: “Policia u bën thirrje banorëve dhe mysafirëve të rajonit të Odessa që të respektojnë rreptësisht rregullat e ligjit ushtarak: mos shkoni në zonën e mbrojtjes bregdetare të Detit të Zi, mos notoni në detin e minuar.”

Ukraina ka akuzuar Rusinë për vendosjen e qëllimshme të minave në Detin e Zi, ndërsa forcat e Kremlinit pretendojnë se ato janë vendosur nga Kievi.