Jeni japonez arriti nivelin e tij më të ulët ndaj dollarit amerikan në gati 24 vjet të hënën, duke rënë në 135.22 jen për dollar, sipas Bursës së Tokios rreth orës 04:00 GMT. Ky është niveli i tij më i ulët që nga tetori 1998. Për rrjedhojë, indeksi i aksioneve Nikkei 225 ishte gjithashtu në rënie, duke humbur 3.05% gjatë tregtimit të mëngjesit në 26,975 pikë.
Analistët thonë se zhvlerësimi i monedhës japoneze rrjedh nga ngurrimi i Tokios për të shtrënguar politikën monetare në një kohë kur Rezerva Federale e SHBA-së së bashku me shumë banka të tjera qendrore kryesore janë duke rritur normat për të zbutur inflacionin në rritje.
Zgjerimi i diferencës së normës së interesit po shkakton shitjen e jenit ndërsa investitorët i lëvizin fondet në dollarë me rendiment më të lartë.
“Banka e Japonisë është tani e vetmja bankë qendrore midis vendeve të zhvilluara që nuk po shtrëngon politikën monetare dhe kjo ka forcuar kryqëzimet e jenit, duke e lënë jenin si humbësin e vetëm.” – tha për Bloomberg, Takuya Kanda nga Instituti i Kërkimeve Gaitame.com në Tokio.
Monedha ka vuajtur edhe nga fakti se Japonia është një importues kryesor i energjisë, ndërkohë që çmimet e energjisë kanë ardhur në rritje për shkak të pasigurisë gjeopolitike. Një jen më i dobët i bën mallrat e importuara, përfshirë energjinë, më të shtrenjta, duke ushtruar kështu presion ndaj kompanive dhe familjeve japoneze.
Duke komentuar situatën, Hirokazu Matsuno, Sekretari i Përgjithshëm i kabinetit të ministrave të Japonisë, u zotua se autoritetet e vendit ishin të gatshme të ndërmarrin hapa për të rregulluar jenin nëse e konsiderojnë të nevojshme. Më parë, kryeministri japonez Fumio Kishida shprehu një qëndrim të ngjashëm.