Vendosni fjalën kyçe....

Shitësit bëjnë pak “pazar”, më shumë prona po shiten me çmimin fillestar të kërkuar


Shitësit e pasurive të paluajtshme po bëjnë më pak “pazar” në çmim.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregoi se në gjysmën e dytë të vitit të kaluar më shumë se gjysma e shitjeve në tregun e pasurive të paluajtshme u realizuan me çmimin e kërkuar ose me një ulje deri në 5%. Më në detaj, rreth 39% e agjentëve kanë raportuar shitje me çmime të njëjta me ato të kërkuara, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë shitjet me çmimin filletsar të kërkuar përbënin vetëm 29% të transaksioneve.

Ndërkohë, 13% e tyre kanë shitur me çmim deri në 5% më të ulët në krahasim me çmimin e kërkuar, edhe kjo përqindje në rritje krahasuar me një vit më parë.

Banka e Shqipërisë vëren se në krahasim me periudhat e mëparshme shpërndarja e përgjigjeve është më e përqendruar drejt intervaleve me çmim pranë çmimit fillestar të kërkuar, gjë që reflekton rritje të kërkesës për blerje pronash të paluajtshme.

Shkalla e uljes që pranohet më shpesh nga shitësit e pronave është midis 5% dhe 20% të çmimit fillestar. Në 42% të rasteve, pronat shiten me një ulje në këtë interval kundrejt çmimit të parë të kërkuar. Uljet në përmasa më të mëdha se 20% janë më të pakta. Në 6% të rasteve diferenca mes çmimit të shitjes dhe atij të kërkuar fillimisht është midis 20% dhe 30% më e ulët. Ndërkohë, asnjë agjent nuk ka raportuar shitje me ulje mbi 30% nga çmimi i kërkuar, ndërkohë që një vit më parë 7% e tyre raportonin shitje me ulje në këtë fashë.

Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021, shënoi rritje me 8.4% ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm dhe me 9% në krahasim me nivelin e së njëjtës periudhë një vit më parë. Indeksi i Çmimit për Tiranën u rrit me 8.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe me 12.3% në terma vjetorë.

Vëllimet e shitjeve në zonat qendrore të kryeqytetit janë dyfishuar në krahasim me periudhën paraardhëse; rritja e vëllimeve të shitjes, e kombinuar me rritjen e çmimit në këto zona, ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e vlerës së indeksit.

Sipas agjentëve, rreth 30% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Gjysma e këtyre pronave rezultojnë të blera me kredi që mbulojnë deri në 60% të vlerës.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 11 muaj, duke u rritur lehtë ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 9.4 muajsh, ose pothuajse të njëjtë me atë të raportuar në gjashtëmujorin e kaluar. Për zonën e bregdetit, koha mesatare e shitjes ishte 11 muaj, vlerë kjo dukshëm më e lartë në krahasim me kohën 7.6 muaj të raportuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, por pranë mesatares afatgjatë prej 12.1 muajsh.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al