Kathleen Buhle, ish-bashkëshortja e Hunter Biden, ka deklaruar në një intervistë se ajo nuk kishte asnjë kontroll mbi financat e saj kur ishte e martuar dhe se kishte lejuar bashkëshortin të merrte vendimet e tyre financiare.
“Kjo ishte një nga pjesët më të vështira për mua për të shkruar dhe për ta pranuar”– tha Buhle për programin “Good Morning America” në ABC, në intervistën e saj të parë televizive në lidhje me librin e saj me kujtime i cili del në shitje të martën. “If We Break” apo “Nëse ne ndahemi” është titulli i librit të saj ku Buhle tregon për martesën e tyre 24-vjeçare.
“Është e turpshme të thuash se ia kam lënë të gjithë kontrollin financiar burrit tim.”– tha ajo, duke shtuar: “Më pëlqenin gjërat e bukura. Dhe nuk doja të mendoja për koston me të cilën po vinin.”
Hunter Biden është në qendër të një hetimi të vazhdueshëm të Departamentit të Drejtësisë për marrëdhëniet e tij financiare dhe taksat. Buhle tha të martën se ajo nuk do të ishte e dobishme nëse do të merret në pyetje nga qeveria lidhur me këtë hetim duke thënë se ajo nuk dinte asgjë.
CNN shkruan se ka kërkuar komente nga avokatët e Shtëpisë së Bardhë dhe Hunter Biden për intervistën e ish-gruas së tij, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Buhle pranoi se ishte në dijeni se çifti i detyrohej para Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme në fillim të viteve 2000, por Hunter Biden i kishte thënë asaj se ai kishte “krijuar një plan pagese dhe nuk ishte i shqetësuar”.
Buhle diskutoi gjithashtu vitet e varësisë së ish-bashkëshortit dhe u pyet nëse ajo e njihte personin me të cilin ishte martuar në shumë fotografi të tij.
“Aspak”– tha Buhle. “Ai po luftonte nën një varësi të madhe ndaj drogës dhe kjo është zemërthyese dhe e dhimbshme.”
Buhle iu shmang një pyetjeje se ku qëndron aktualisht marrëdhënia e saj personale me Presidentin Joe Biden dhe zonjën e parë Jill Biden.
Çifti u divorcua në vitin 2017 pas 24 vitesh martesë. Kathleen Buhle rriti tre vajza të quajtura Naomi, Finnegan dhe Maisy, me djalin e Presidentit Joe Biden.