Kreu i PD-së Berisha ka deklaruar nga Azerbajxhani se presidenti serb Vuçiç kërcënon Kosovën dhe stabilitetin rajonal duke mbajtur pezull konfliktin.
Ai e bëri deklaratën në Forumin Global të Azerajxhanit ku po merr pjesë bashkë me presidentin Meta.
Sipas tij Serbia po armatoset me armë ruse e kineze ndërkohë që nuk kërcënohet nga askush duke e quajtur shqetësuese diçka të tillë.
“Tre vite më parë, Vuçiç vizitoi veriun e Kosovës, tre ditë në çdo takim u shpreh haptas se Serbia do zgjerohet dhe do bëhet më e madhe. Po ky president u betua para dy javësh para parlamentit duke u zotuar se do mbronte sovranitetin e Serbisë përfshirë Kosovën. Kjo do të thotë që konflikti të mbahet pezull. Por atje po shkojnë armë ruse dhe kineze, në atë kohë që Serbia kërcënohet nga askush, askush nuk e kërcënon Serbinë sot. Mendoj se kjo që po ndodh është shqetësuese.” – tha Berisha.
Kreu i PD-së shtoi më tej se rajoni ka ende shumë plagë të pashëruruara duke theksuar se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është jetike.
“Pavarësisht progresit të madh që ka bërë rajoni në procesin e integrimit, ende për sa i përket sigurisë do të thosha se është shumë larg pozicionit ku duhet të ishte. Arsyeja kryesore ose disa arsye janë plagët e pashëruara të konflikteve të fundit dhe fantazma e ultranacionalizmit të pranishme të cilat e mbajnë pezull konfliktin. Së dyti një ndikim i fortë rus në rajon, së treti krimi i organizuar në nivelet më të larta në lidhje me pushtete autokratike në korrupsion. Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës është jetësore.” – shtoi Berisha.