Vendosni fjalën kyçe....

“Tym i zi ngado, fëmijët qanin, ia mbathëm dikush me makinë e të tjerë në këmbë” – Banori rrëfen momentet e panikut pas shpërthimeve në Porto Romano


Banorët e Porto Romanos u zgjuan të alarmuar këtë mëngjes, pas shpërthimit të depozitave të gazit në një fabrikë. Një prej tyre ka rrëfyer momentet e tmerrit, kur të gjithë i kapi paniku dhe u larguan nga zona, dikush me makina e dikush tjetër në këmbë.

 “Isha në gjumë rreth orës tetë e gjysmë të mëngjesit. Kam dy fëmijë të mitur, një 7 dhe një 4 vjeç. Më thirri komshiu: ‘Çohu tha se po plasin bombolat e gazit’. Dola në ballkon, pashë tymin e zi dhe njerëz që vraponin. Na zuri paniku. Mora fëmijët që po qanin dhe u larguam me makinë. Kishte panik, po largoheshin banorët me makina ose në këmbë, tymi i zi vazhdonte, edhe plasjet.

Raste të tjera s’ka pasur. Kjo është e para. Që mbrëmë natën kam dëgjuar zhurma, biinte alarmi më duket. Erë gazi kemi ndjerë dhe herë të tjera. Më janë sëmurë fëmijët, i kam çuar në spital.”– thotë një banor për “Top Channel”.

Bashkëjetesa e banorëve me këtë fabrikë ka qenë e vështirë gjithnjë, pasi në fillimet e saj në këtë hapësirë ngrihej një fabrikë lëkurësh që ndoste masivisht ambientin. Por pas ngjarjes së sotme, edhe pse zjarri është vënë shpejt nën kontroll, banorët apelojnë për më shumë siguri.

Njëri prej banorëve duke folur për “Report TV” i ka krahasuar shpërthimet me bombardimet e Rusisë.

“Isha në gjumë, vetëm kur dëgjova shpërthim, herën e dytë dëgjova duke u dridhur krejt shtëpia. Kur dola në oborr re të mëdha gazi. Më pas pashë tym të zi e punëtorët duke bërtitur. Isha i tmerruar dhe u larguam, morëm makinën e ikëm. Është e rrezikuar banesa. Ka pasur shpërthime të vogla. Vinte era e gazit. Tamam si shpërthimet e rusit, dinamitit.”– u shpreh banori.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 08:30, ku depozitat e gazit u përfshinë nga flakët.

“Rreth orës 08:30, në Porto Romano, Durrës, ka rrënë zjarr në depozitat e gazit.

Me ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve dhe policisë, zjarri është fikur. Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme të vogla materiale.

Grupi hetimor ndodhet vendngjarje ku vijon puna për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.”– thuhej në njoftimin paraprak të Policisë.

Pas shpërthimeve, banorët e tmerruar janë larguar nga zona për të qenë të sigurt dhe janë rikthyer përsëri pas normalizimit të situatës.