Vendosni fjalën kyçe....

Tentuan të trafikonin 42 kg kanabis në Devoll, arrestohen 2 persona


Policia e Shtetit ka zhvilluar operacionin e nëntë të koduar “Restart” të trafikut të kanabisit në Devoll.

Dy persona u arrestuan pasi tentuan të trafikonin 42 kg kanabis ndërsa numri në total i 9 operacioneve ka shkuar në 22 persona të ndaluar.

Deri më tani janë kapur 535.5 kg kanabis dhe 550 gr në formë çokollate.

Shtetasit e arrestuar në fazën e nëntë janë Leonard Hekurani 41-vjeç banues në Elbasan dhe Zamir Sino 65-vjeç banues në fshatin Miras Devoll.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet faza e nëntë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar shtatë muaj më parë.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e Frontex-it, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Tentuan të trafikonin drejt Greqisë, 42 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, vihen në pranga 2 shtetas.

Shkon në 22 numri i të ndaluarve, në 535.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate, sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e Frontex-it, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur shtatë muaj më parë kanë finalizuar me sukses fazën e nëntë të tij, si rezultat i së cilës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– L. H., 41 vjeç, banues në Elbasan.

– Z. S., 65 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me shërbimet e Frontex-it, kanë konstatuar dy shtetasit e mësipërm në afërsi të fshatit Dobranj, Devoll dhe ju kanë bërë me shenjë të ndalonin. Këta shtetas, porsa kanë parë shërbimet e Policisë në drejtim të tyre, kanë tentuar të largohen me vrap dhe kanë hedhur në tokë tre çanta të zeza. Forcat e Policisë Kufitare dhe ato të Frontex-it, janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur kapjen e ndalimin e tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të çantave të tyre, u gjet një sasi prej 42 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.