Gjashtë persona janë arrestuar në Shkodër në një operacion antidrogë ndërsa tetë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ata janë ndaluar pasi gjatë një kontrolli në banesën e një prej të ndaluarve në fshatin Vallas është gjetur një sasi prej 246 kilogramësh kanabis.
Ndërkohë policia ka nisur operacionin për kapjen e tetë personave të shpallur në kërkim.
Njoftimi
“Në vijim të kontrolleve masive në të gjithë territorin, me qëllimin parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një hetimi disaditor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si dhe falë një pune të mirorganizuar të të gjithë strukturave policore të DVP Shkodër, Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me seksionet për Hetimin e Krimeve kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të kësaj DVP-je, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor antikanabis të koduar “Vallas”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan ne flagrancë shtetasit:
-A. T., 28 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër;
-B. R., 26 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër;
-H. M., 51 vjeç, banues në Vallas, Shkodër;
-L. Ç., 34 vjeçe, banuese në Milot, Lezhë;
-A. U. 48 vjeç, banues në Velinaj, Shkodër, si dhe
-D. H. 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase u arrestua brenda disa orësh nga organizimi i operacionit policor “Vallas”, si rezultat i bashkëpunimit të mirëkoordinuar me strukturat e DVP Tiranë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit:
-A. S., 34 vjeç banues në Bajzë, Malësi e Madhe;
-A. P., 38 vjeç, banues në Shirokë, Shkodër;
-S. B., 35 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër;
-B. L., 21 vjeç banues në Alimetaj, Shkodër
-E. S. 20 vjeç banues në Shirokë, Shkodër, si dhe
-I. D., 26 vjeç, banues në Vallas, Shkodër;
-S. D., 34 vjeç, banues në Vallas, Shkodër;
-A. D., 29 vjeç, banues në Vallas, Shkodër (të afërm të njëri-tjetrit).
Nga veprimet hetimore të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin në fshatin Vallas, Shkodër, veprimtarinë e kundëligjshme të kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar A. T., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 246 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një automjet dhe 11 aparate celularë, të cilat dyshohet se përdoreshin nga autorët për zhvillimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, në vijim të kontrollit të imtësishëm të çdo pjese të territorit, në fshatin Vallas, Shkodër, u konstatuan dhe u asgjësuan me anë të djegies, nga ana e shërbimeve të Policisë, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në afërsi të banesës së shtetasit të arrestuar A. T.
Vijon puna intensive nga ana e strukturave të Policisë, me qëllim arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim për këtë veprimtari kriminale.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.”