Nga Arbër Zaimi
Rasti i Sunny Hill tregoi edhe një herë se nuk ka asnjë nevojë që Qeveria të nxitohet në dhurimin e favoreve për bizneset (në këtë rast 17 hektarë tokë).
Është krejt e thjeshtë, ja po e shpjegojmë me hapa:
- Bizneset, patriotike apo jo, interes kryesor kanë rritjen maksimale të fitimit të tyre brenda një kohe sa më të shkurtër dhe me kosto sa më të vogël. (Madje shpesh edhe non-profitet, pavarësisht statutit të shpallur, kanë synime të njëjta.)
- Qeveria synim kryesor ka gjetjen e balancës mes interesit të biznesit dhe interesave të taksapaguesve dhe komuniteteve të interesuara, duke u siguruar që gjithnjë zbatohet ligji.
- Është tërësisht e zakonshme që bizneset me ato çfarë kanë në dorë, shpesh edhe me mediat private që janë po ashtu biznese, të bëjnë presion për ta arritur synimin e tyre. Domethënë, për të zvogëluar kostot, për të shkurtuar kohët, për të anashkaluar apo hequr çdo barrierë burokratike apo ligjore, etj, dhe për të zgjeruar marzhin e fitimit.
- Qeveria është aty, megjithatë, për të rregulluar, gjithnjë duke zbatuar ligjin.
- Ndonjëherë bizneset bëjnë presion edhe duke “kërcënuar” me braktisje.
- Por një qeveri e mençur e di se, për sa kohë që ekziston mundësia e fitimit të mjaftueshëm, biznesi braktisës do të rikthehet, ose nëse nuk rikthehet pikërisht ai, do të vijë një tjetër që do të synojë mbledhjen e fitimit në fjalë.
Bizneseve duhet t’u plotësohen kërkesat e arsyeshme dhe t’u krijohen kushtet e arsyeshme, por nuk ka nevojë të nxitohet e të liget qeveria para tyre.
Urime Qeverisë së Kosovës që nuk u nxitua e nuk bëri shkelje pavarësisht presionit, urime edhe Sunny Hillit që u kthye pranë publikut të vet që paguan me dëshirë për argëtimin që i pëlqen aq shumë.