Të paktën 280 persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur pasi një tërmet me magnitudë 6.1 goditi Afganistanin herët të mërkurën, tha agjencia zyrtare e lajmeve e Talibanëve, Bakhtar.
Epiqendra ishte rreth 44 km nga qyteti i Khost në juglindje të vendit në një thellësi prej 51 km, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS). Tërmeti preku edhe pjesë të Pakistanit fqinj.
Shumica e viktimave dhe shkatërrimeve janë raportuar në provincën afgane të Paktikas. Sipas Bakhtar, të paktën 280 u vranë dhe mbi 600 të tjerë u plagosën atje.
Autoritetet vendase kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet nëse ndihma nuk arrin nga Kabuli.
Pamjet nga zona në mediat sociale kanë kapur shtëpitë që janë kthyer në rrënoja nga lëkundjet.
“Një tërmet i fortë tronditi katër rrethe të provincës Paktika, duke vrarë dhe plagosur qindra bashkatdhetarë tanë dhe duke shkatërruar dhjetëra shtëpi.” – shkroi në Twitter Bilal Karimi, një zëvendës zëdhënës i qeverisë talebane.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha agjencive të ndihmës që të dërgojnë ekipe në zonë menjëherë për të parandaluar katastrofën e mëtejshme.”
Shërbimet e urgjencës thanë më herët se kishte edhe viktima në provincat e afërta Nangarhar dhe Khost.
Valët e goditjes janë ndjerë nga rreth 119 milionë njerëz në Pakistan, Afganistan dhe Indi, ka thënë Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC). Lëkundjet u raportuan nga dëshmitarët në kryeqytetin afgan Kabul si dhe në Islamabad të Pakistanit.