Vendosni fjalën kyçe....

Një tjetër shtet i BE-së i kthehet qymyrit


Ministri holandez i Energjisë, Rob Jetten, ka njoftuar se Holanda po heq të gjitha kufizimet për termocentralet me qymyr për të ulur konsumin e gazit natyror, ndërsa u bën një ‘thirrje urgjente’ bizneseve që të kursejnë sa më shumë energji përpara sezonit të dimrit.

Haga ka aktivizuar fazën e ‘paralajmërimit të hershëm’ të planit të saj të krizës energjetike, përballë mungesës së mundshme të gazit natyror këtë dimër, tha Jetten të hënën, duke shtuar se vendimi ishte përgatitur në bashkërendim ‘me kolegët tanë evropianë për ditët e fundit’.

“Kabineti ka vendosur të tërheqë menjëherë kufizimin e prodhimit për termocentralet me qymyr.” – tha ai, duke iu referuar rregullit sipas të cilit të gjitha termocentralet me qymyr në Holandë mund të operojnë vetëm në një maksimum prej 35% të kapacitetit të instaluar.

“Dua të theksoj se për momentin nuk ka mungesë të rëndë të gazit.” – vuri në dukje Jetten, por megjithatë pohoi se ‘më shumë vende tani janë duke u shtrydhur’ nga Rusia.

Në një lëvizje të ngjashme të dielën, ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck tha se Berlini do të duhet të rrisë përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike për të kompensuar mungesën e gazit natyror nga Rusia.

Ndërkohë, qeveria austriake ra dakord me kompaninë energjetike Verbund për të kthyer një termocentral rezervë me gaz në rajonin jugor të Styria për të prodhuar energji elektrike duke përdorur qymyr në rast se urgjenca e energjisë thellohet.

Këto lëvizje pasojnë një vendim të Gazprom të Rusisë për të shkurtuar furnizimet e gazit natyror në Gjermani nëpërmjet tubacionit Nord Stream me 60% pasi ofruesi gjerman i mirëmbajtjes Siemens nuk i ktheu njësitë e pompimit pas riparimeve për shkak të sanksioneve.

Zyrtarët evropianë pretenduan se ky vendim ishte thjesht politik dhe i lidhur me tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit mbi operacionin ushtarak të Moskës në Ukrainë.