Flet djali i fermerit Bektesh Shtëpenja të cilit Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkon t’i konfiskojë pasuritë.
Andrea Shtëpenja ka pranuar për mediet se ka qenë i dënuar më parë, por pretendon se e ka kryer dënimin dhe se pasuria e babait dhe e vëllait nuk ka lidhje me dënimin e tij.
Shtëpenja thotë se i ati i tij ka 32 vite që merret me autokombajnë dhe pasurinë e ka vënë me këtë punë, por ai nuk ka fatura që ta konfirmojë këtë.
“Janë bashkëfshatarë të mitë dhe sot janë dëshmitarë të mitë. Kanë ardhur që nga Kozara dhe për të dëshmuar në gjykatë, se grurin dhe misrin i korrin me autokombajnat tona. Po ç‘lidhje ka gjykata me korrjen e grurit dhe të misrit? Po, sepse prokuroria na kërkon të justifikojmë pasurinë, por ne nuk kemi pasur kupon tatimor për aktivitetin. Babi ka 32 vite që bën atë punë. Madje ai pati hyrë në gjyq me kooperativën për të marrë një autokombajnë, pasi gjithë jetën e tij kishte punuar me të. E fitoi dhe nisi të punonte tokët e të gjithë zonës. Më vonë blemë edhe një tjetër dhe më pas edhe një tjetër.
Im atë dhe im vëlla i njeh gjithë Kozara, pasi janë të vetmit që merren me procesin e korrjes së grurit dhe të misrit. Po ngaqë puna na paguhet me para në dorë, ne e kemi të pamundur të deklarojmë të ardhura, e për këtë prokuroria na akuzon se pasuria jonë është vënë nga aktiviteti im kriminal. Unë kam ikur në moshë të vogël jashtë vendi, diku 13 apo 14 vjeç. Jam dënuar kur isha 21 vjeç dhe kam bërë burgun duke e paguar gjithçka kam bërë. Pra unë jam ndarë me familjen që asokohe dhe deri më sot dhe gjithçka që kanë bërë, i kanë bërë babi me vëllanë. Çfarë borxhi kanë ata të paguajnë për burgun që kam bërë unë, pasi asnjë lek nuk është hedhur prej meje në pasuritë që mban familja ime.
Më çuan OFL-në në shtëpi e më thanë të justifikonim pasurinë, po familja ime ka punuar gjithnjë me para në dorë. Më kanë bllokuar dy makina; njëra prodhim i 2005-ës e tjetra e 2011- ës, që e përdor familja për hallet e veta. Thonë se shtëpitë janë me lekë droge, ndërkohë që nuk është e vërtetë. Ata që folën, treguan marrëdhënien që kanë me familjen tonë; ne iu kryejmë shërbim, ata na paguajnë, me një fjalë prindërit dhe vëllanë e madh. Sepse ne nuk kemi mundësi tjetër të vërtetojmë pagesat që na japin ata përkundër gjithë aktivitetit që kryhet nëpër tokat e tyre dy herë në vit nga mjetet e familjes sime. Këta na janë vërsulur të na marrin gjithçka kemi. Nuk e kuptoj si mund të ndodhë kjo gjë, është çmenduri. Por unë do ta çoj deri në fund çështjen, pasi unë i kam mbyllur problemet me drejtësinë në vendin ku edhe u dënova.”– ka treguar Andrea Shtëpënja.
Në gjyqin për sekuestrimin e pronave të familjarëve të tij, ishin ftuar të dëshmonin jo pak, por 240 persona, të cilët kundërshtuan akuzat e Prokurorisë së Posaçme. Ata treguan se prej dekadash kishin pajtuar familjen Shtëpënja për të korrur grurin dhe misrin.