Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile, kanë shkelur ligjin për sa i përket menaxhimit të zjarreve në vend gjatë periudhës korrik-gusht 2021.
Në raportin e KLSH-së theksohet se është shkelur ligji për marrjen me qira të helikopterëve për shuarjen e zjarreve pasi janë paguar për rrugën Berlin-Tiranë ndërkohë që duhet të paguheshin për fluturimet në Shqipëri.
Në auditimin e Emergjencave Civile për vitin 2021 thuhet se kompania e helikopterëve u pagua mbi 36 milionë lekë për 89 orë punë dhe se kompania duhet t’i kthejë shtetit 4.6 milionë lekët e pagesës për rrugën Berlin-Tiranë.
“Është likuiduar shoqëria “V.H.” për vlerën 36,069,300 lekë, për 89.06 orë pune operacionale të helikopterëve të kontraktuar për fikjen e zjarreve. Regjistri i mbajtur për orët operacionale të helikopterëve më datë 03.08.2021, pasqyron Berlin(Gjermani)-Shqipëri 11,53 orë operacionale x 405,000 lekë/ora = 4,669,650 lekë, veprim në kundërshtim me pikën 2.6 të marrëveshjes në të cilën është shprehur në mënyrë eksplicite se “Njësia mbi të cilën bëhet përllogaritja e shpenzimeve të kryera, është për orë pune operacionale ku “Kohë pune operacionale”, do të konsiderohet koha nga momenti i ngritjes së helikopterëve nga V. Baldushk-Tiranë deri në kthimin në Baldushk-Tiranë….”.Vlera 4,669,650 lekë përbën dëm ekonomik për AKMC dhe Buxhetin e Shtetit dhe duhet të dëmshpërblehet nga shoqëria V.H.” shpk.” – thuhet në raport.
Po kështu në raport vërehet se nga katër helikopterë ‘Cougar’ që ka ushtria, vetëm njëri prej tyre është në gjendje pune.
Raporti thekson më tej se forcat zjarrfikëse në ven nuk kanë veshje e pajisje speciale për menaxhimin e zjarreve dhe se pajisjet e makinave zjarrfikëse janë të vjetra, të viteve 1960-1970.
Në 55 bashki të vendit ka 152 makina zjarrfikëse, nga të cilat 131 në gjendje pune, 11 me defekt e 10 jashtë përdorimit. Po kështu në Shqipëri, sipas raportit, ka 1 zjarrfikëse për 2185 banorë nga 1 zjarrfikës për 205 banorë që kërkohet nga ligji.
“Niveli qendror dhe lokal nuk ka burimet njerëzore dhe teknike të mjaftueshme për reagim ndaj situatave emergjente/zjarret. Nga 61 Bashki në shkallë Republike, janë marrë të dhëna në 55 prej tyre, në të cilat raportohen 152 zjarrfikëse. Nga këto 131 në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara (pa dokumentacion). Shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara (disa që datojnë nga vitet gjashtëdhjetë), janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse janë dhuruar nga vende të ndryshme.” – vijon raporti i KLSH-së.