Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti bullgar vendos heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut


Parlamenti i Bullgarisë ka vendosur miratimin e propozimit francez për mosmarrëveshjet mes Sofjes e Shkupit duke i hapur rrugën heqjes së vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Propozimi francez parashikon disa ndryshime të caktuara për sa u përket teksteve të procesit negociues mes Bullgarisë e Maqedonisë së Veriut.

Pas votës pro të parlamentit, Kuvendi ka autorizuar kryeministrin në detyrë Petkov që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut duke i hapur rrugën çeljes së negociatave të vendit dhe Shqipërisë me BE-në.

Vetoja bullgare ndaj Shkupit çoi në një përlasje të ashpër mes zyrtarëve bullgarë e kryeministrit të Shqipërisë Rama. Ditën e djeshme teksa mori pjesë në samitin e BE-së, Rama kritikoi me tone të ashpra qëndrimin bullgar duke e quajtur atë një turp.

Sipas tij, Bullgaria mori peng dy vende të NATO-s që dëshirojnë të anëtarësohen në BE ndërkohë që në oborrin e kësaj të fundit po zhvillohet luftë.

Deklaratat e ashpra të kryeministrit Rama nxitën reagimin e Bullgarisë e cila nëpërmjet një deklarate nga Ministria e Jashtme e quajti gjuhën e Ramës të ulët, fyese e të papranueshme të kryeministrit të një vendi që kërkon të futet në BE.

I atypëratyshëm ishte edhe reagimi i Ramës i cili i bëri thirrje Sofjes që të hiqte veton duke i kujtuar se çështja e minoritetit bullgar në Shqipëri ishte zgjidhur me një telefonatë të shkurtër mes tij dhe ish-kryeministrit bullgar, Borisov.