Vendosni fjalën kyçe....

“Shpopullimi i vendit emergjencë kombëtare” – PD akuza qeverisë për braktisjen e vendit


Partia Demokratike ka denoncuar shpopullimin e vendit me ritme të shpejta.

Në një deklaratë nga selia blu, Sekretarja për Organizatat Partnere Megi Balliu tha se 42% e qytetarëve duan të emigrojnë dhe se kjo çështje është kthyer tashmë në emergjencë kombëtare.

Selia blu ka thirrur protestë kombëtare 7 korrik ndërsa ditët e fundit kreu i saj Berisha ka zhvilluar tryeza të ndryshme takimesh me grupe të ndryshme qytetarësh.

“42 përqind e shqiptarëve kërkojnë të emigrojnë. Shifra alarmante vjen nga Barometri i Ballkanit, një sondazh vjetor i Këshillit të Bashkëpunimir Rajonal. Vendimi për të ikur kuptohet më qartë, po të vëresh një tjetër shifër të sondazhit. 88 përqind e shqiptarëve mendojnë se hendeku i pasurisë është thelluar. Pasi kanë humbur ‘luftën e klasave’, shqiptarët nuk shohin alternativë veç emigrimit. Partia Demokratike dëshiron të theksojë edhe njëherë rrezikun e shpopullimit të vendit.

Të gjithë treguesit, të gjitha sondazhet, e dëshmojnë këtë. Përsëritja e faktit dhe mesazhit nga opozita nuk bëhet për qëllime të tjera, por veç një arsye: një Shqipëri e boshatisur përbën një emergjencë kombëtare. Kjo kambanë bie për ata që kanë veshë! Me sa duket, jo për qeverinë, që bën veshin e shurdhër. Ata shohin oborrin e tyre dhe thonë: qentë le të lehin, karvani të bëjë përpara! Ne shohim karvanin e njerëzve që ikin dhe një Shqipëri në rrezik.” – tha Balliu.