Vendosni fjalën kyçe....

Deputetit të Vetëvendosjes i vidhen 50 mijë euro që i mbante në banesë


Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, i është vjedhur një shumë e konsiderueshme parash e gjërash me vlerë.

Siç bën me dije Kallxo.com, Shkreta ka raportuar në Policinë e Kosovës vjedhjen e 50 mijë eurove para cash nga banesa e tij në Prishtinë.

“Rasti është hap, është trajtuar prej njësiteve kompetente. Të gjitha masat e mundshme janë ndërmarrë. Hetimet janë duke u zhvilluar.”– ka thënë për gazetën njëri nga eprorët e hetimeve në polici.

Deputeti ka deklaruar se paratë që dyshohet se janë vjedhur, janë mbledhur për arsyen e larjes së një borxhi dhe janë mbledhur bashkë me disa familjarë të tij.

Shkreta ka treguar se nuk kishte qenë në banesë që nga mëngjesi i datës 23 qershor, ditë e enjte. Por kur ka hyrë në banesë, pak pas mesnate, ka zbuluar se banesa iu është vjedhur dhe paratë nuk ishin.

Dyshimet e Policisë janë se dera është hapur me çelës.

“Pala është intervistuar dhe dyshohet se i dyshuari ka hyrë në banesë me çelës për shkak se nuk ka dëshmi që është depërtuar me forcë.”– thuhet në këtë raport të policisë.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe më zëdhënësen e Prokurorisë Themelorë në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Vjedhja e rëndë’, si dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.”- ka thënë ajo.