Vendosni fjalën kyçe....

Hyrjet e të huajve tejkalojnë periudhën para pandemisë, Kosova i rikthehet rritjes


Pritshmëritë që ky të jetë një vit më i mirë turistik për Shqipërinë duke pasur parasysh situatën e dy viteve të kaluara me pandeminë duket se po konkretizohen.

Shifrat zyrtare të INSTAT për Lëvizjen e Shtetasve tregojnë se në total hyrjet në vendin tonë janë 3.45 milionë shtetas rreth 2 për qind më pak sesa shifra e regjistruar në janar-maj 2019.

Por ndërkohë numri i hyrjeve nga shtetasit e huaj në Shqipëri ka tejkaluar shifrën e 5-mujorit të vitit 2019. Kështu nga janari në maj në vend kanë hyrë mbi 1.6 milionë shtetas të huaj apo 12 për qind më shumë sesa shifra e regjistruar për të njëjtën periudhë në vitin 2019.

“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Maj 2022, janë 1.074.828. Krahasuar me Maj 2021, ky tregues rezulton me një rritje 77,5%. Në Maj 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 604.430. Krahasuar me Maj 2021, ky numër është rritur me 83,9%.”-thuhet në publikimin e INSTAT.

Hyrjet e shtetasve

“Gjatë pesëmujorit të parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 5,6 herë, ndërsa Kosova ka pasur rritjen më të ulët me 9,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.”- vlerëson INSTAT.

Turizmi patriotik që ka qenë dominant në dy vitet e pandemisë duket se u tkurr disi në muajt e parë të këtij viti por maji duket se ka bërë edhe kthesën duke u rritur me 70 për qind në maj 2022 në raport me maj 2021. Kjo ka ndryshuar edhe balancën e 5 mujorit.

Daljet e shtetasve

“Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Maj 2022, janë 1.121.298 duke shënuar një rritje me 72.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Maj 2022 janë 517.692.

Krahasuar me Maj 2021, ky numër është rritur me 50,3%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Maj 2022, janë 603.606. Krahasuar me Maj 2021, ky numër është rritur me 2,0 herë.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë pesëmujorit të parë të 2022, është 2.020.676 duke u rritur 51,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.”- vlerëson INSTAT.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al