Vendosni fjalën kyçe....

Gjenden 46 emigrantë të vdekur në një kamion të braktisur në Teksas, mes tyre fëmijë


Të paktën 46 persona janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në periferi të San Antonios, në Teksas. Një zyrtar zjarrfikës tha se 16 persona, mes të cilëve katër fëmijë, ishin dërguar gjithashtu në spital.

Të mbijetuarit ishin “të nxehtë në prekje” dhe vuanin nga goditja e nxehtësisë dhe lodhja nga nxehtësia.

San Antonio, i cili është 250 kilometra larg nga kufiri SHBA-Meksikan, shërben si një rrugë kryesore tranziti për trafikantët e njerëzve.

Trafikantët e qenieve njerëzore shpesh përdorin kamionë për të transportuar emigrantë pa dokumente pasi i takojnë ata në zona të largëta, pasi të kenë arritur të kalojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Ata kishin familje… dhe me gjasë po përpiqeshin të gjenin një jetë më të mirë.”- tha kryebashkiaku i San Antonios, Ron Nirenberg. “Nuk është asgjë më pak se një tragjedi e tmerrshme njerëzore.”

Shërbimet e urgjencës mbërritën fillimisht në vendngjarje rreth orës 18:00 pasi iu përgjigjën raporteve për një trup të pajetë.

Shefi i zjarrfikësve Charles Hood tha: “Ne nuk duhet të hapim një kamion dhe të shohim tufa trupash atje. Asnjëri prej nesh nuk vjen në punë duke e imagjinuar këtë.”

Siç shkruan BBC, Hood shtoi se automjeti, i cili ishte braktisur nga drejtuesi i tij, nuk kishte ajër të kondicionuar dhe nuk kishte as ujë të pijshëm brenda.

Klima e San Antonios është jashtëzakonisht e nxehtë në muajt e verës, me temperaturat atje që kanë arritur në 39.4C të hënën dhe dyshohet se viktimat kanë vdekur nga lodhja prej nxehtësisë dhe dehidrimi.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, tha se dy guatemalanë ishin në mesin e atyre që u dërguan në spital. Kombësia e viktimave të tjera nuk ishte menjëherë e qartë.

Tre persona po mbahen në paraburgim dhe hetimi i është dorëzuar agjentëve federalë.