Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Ekonomi: Rritja ekonomike e Shqipërisë më e lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian


Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi ka krahasuar sot në Kuvend rritjen ekonomike të Shqipërisë në tremujorin e parë të vitit me vendet e Bashkimit Evropian.

Duke iu referuar shifrave të INSTAT, Ekonomi tha se rritja ekonomike e Shqipërisë është më e lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.

“Sot në orën 10:00 INSTAT-i ka publikuar shifrën e GDP-së tre mujore. Në fakt është një ngjarje që meqenëse jemi duke e monitoruar ekonominë të gjithë me sy të përqendruar për të parë se çpo ndodh me sektorët, si ka reaguar ndërhyrja që ka bërë qeveria, besoj që të gjithë mezi e kemi pritur.

Tani është një fakt i rëndësishëm që rritja ekonomike në Shqipëri shënoi 5.97% rritje në tre mujorin e parë, e cila është rritja e nivelit të lartë e krahasueshme dhe me vendet e BE ku mesatarja është 5.6 %. Ndërkohë dhe në rajon, po ta vëmë re me kujdes kjo është rritja më e lartë.

Duke parë ecurinë e ekonomisë deri në vitin 2021, kemi vënë re që gjërat kanë qenë të vështira por në fakt ekonomia jonë ka rezistuar. Kjo është shumë e rëndësishme.

Po të shikoni raportin e agjencisë së sigurimit të depozitave ka një shifër që tregon dhe një rezistencë tjetër.

Numri i individëve që kanë depozita të nivelit të sigurimit, pra 2 milionë e 500 mijë lekë të reja, numri i tyre në fund të vitit 2021 ishte rritur me 9% krahasuar me fundin e vitit 2020.

Dhe numri i depozituesve kishte shkuar më shumë se 2 milionë e 611 individë. Në fakt vlera ishte rritur me 20% dhe vlera e depozitave të siguruara kishte shkuar në 1.2 trilionë lekë.

Kjo tregon që masat që janë marrë dhe rritja ekonomike i ka sjellë një të mirë familjeve shqiptare.”– tha Ekonomi.