Ministria e Kulturës i ka hapur rrugën menaxhimit të integruar Pallatit të Brigadave, me partner strategjik. Njëlloj sikurse kërkohet të veprohet me Parkun e Butrintit.
Në plan-projektin e publikuar nga gazeta Panorama, thuhet se kjo pronë do t’i mbesë shtetit dhe vetë Ministria e Kulturës do të garantojë që menaxhimi me investitorë strategjikë të zbatohet pa cenuar hapësirën dhe vlerat e tij.
“Kjo hapësirë do të kthehet në hapësirë mikpritëse për personalitete të ndryshme dhe do të jetë e hapur për organizime kulturore dhe edukative, ku çdo përdorues do të paguajë një tarifë.”- thuhet në shkresë.
Projekti i restuarimit të Pallatit të Brigadave, për muaj me radhë u mbajt sekret. I plotë vendimi për Planin e Menaxhimit të Integruar të Ansamblit Historik të Pallatit Presidencial u botua vetëm dje në Fletoren Zyrtare.
Qeveria vendosi të menaxhojë Ansamblin Historik të Pallatit të Brigadave përmes një partneriteti të quajtur PMI (Plan Menaxhimi i Integruar).
Në vendimin e botuar në fletoren zyrtare theksohet se ky menaxhim do të bëhet në partneritet me një periudhë prej 20 vitesh, ku pala e interesuar duhet të ketë financimin e duhur dhe përvojën për rijetëzimin e këtij Ansambli.
Por, vendimi i qeverisë i referohet ligjit 27/2018 “Për trashëgimin kulturore dhe Muzetë” ku në pikën 5 të saj thuhet: “Kontrata e rijetëzimit lidhet për një kohëzgjatje deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi vetëm një herë, nëse subjekti ka përmbushur me korrektësi të gjitha detyrimet kontraktuese, në bazë të raportit të Inspektoratit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.”
Një gjë e tillë nënkupton që fondacioni, i cili e ka marrë me koncesion restaurimin e Pallatit Presidencial dhe që mbahet sekret, ka të drejtë rinovimi edhe për 20 vite të tjera, çka do të thotë për 40 vite.