Vendosni fjalën kyçe....

Xhaçka përgjigjet për akuzat e PD-së: Nuk kemi fituar asnjë cm tokë publike, as unë as bashkëshorti im


Në Konferencën e sotme për mediet, kryeministri Edi Rama foli lidhur me kërkesën e PD-së për t’i hequr mandatin ministres Olta Xhaçka, për shkak të marrjes së statusit të investitorit strategjik nga bashkëshorti i saj.

Rama tha se opozita po vijon me linçimin e atyre që i dalin përpara.

“Vesi del me shpirtin dhe këta që merren me këto punë nuk do ndryshojnë kurrë. Kurrë për fat të keq. Ne jemi shumë mirëpritës dhe mikëpritës për çdo shenjë ndryshimi nga ana e tyre por këta mesa duket nuk do ndryshojnë. Tërheqja zvarrë e kujtdo që u del përpara për të bërë linçime është një praktike që nuk do ndryshojë. Zgjedhja jonë është e thjeshtë dhe rruga jonë është e përcaktuar: ose do bëjmë punët duke qenë të vetëdijshëm që nuk jemi perfekt, kemi edhe ne të metat tona, ose do merremi me këta. E kam të qartë që do minutë e humbur për t’u marrë me këta është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem të natyrës së ngritur në këtë fortunë në gotë. Megjithatë le ta gjykojnë institucionet.”- tha Rama.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e cila u shfaq në konferencë në krah të kryeministrit deklaroi se nuk ka përfituar asnjë centimetër tokë publike por ky është spekulim i ngritur nga opozita.

“Nëse ju do më thonit një cm tokë publike të fituar nga unë apo bashkëshorti im, patjetër do u jepja edhe përgjigjen nëse i kemi pasuritë e ndara apo të përbashkëta.

Më vjen keq që ky spekulim i ngritur nga pak deputetë të opozitës, që ju ka humbur sensi politikë, të marrë vëmendjen që po merr sot, madje dhe në këtë konferencë shtypi që është mbledhur për gjëra shumë të rëndësishme. Megjithatë, unë në respekt të opinionit publik e kam bërë të qartë qëndrimin tim.

Më bëhet qejfi, ndryshe nga ky spekulim që u ngrit, që ky proces ka hyrë në binar institucional dhe do pres institucionet të flasin për çështjen dhe kam besim që do flasin ashtu siç duhet.”– tha Xhaçka.