Deputeti Ervin Salianji pas shtyrjes së seancës gjyqësore në Gjykatën e Apelit për shkak të mungesës së një gjyqtareje ka folur mbi çështjen “Babale” duke u shprehur i bindur në pafajësi.
Salianji tha se prokurorët që u morrën me çështjen dhe gjyqtari i shkallës së parë janë larguar nga vettingu ose kanë dhënë dorëheqjen.
Deputeti i PD-së akuzoi se ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka pasur ndikim te gjyqtari i shkallës së parë për të dhënë një vendimmarrje të caktuar.
“Nuk është vetëm ky dëshmitar i rremë. Është dhe një personazh tjetër, një person i njohur si Agron Hyseni që policia dhe Prokuroria tentuan ta fusnin, si Agron për Agron. Zëri është i ngjashëm sipas ekspertizës britanike, me atë të personit të denoncuar. Prokuroria dhe organet nuk bënë atë që duhet të bënin, duke u marrë me denoncuesit.
Jo vetëm që i qëndrojmë, por fakti i hetimeve nga prokuroria faktoi plotësisht ato që denonconim dhe u përfshi akoma më shumë struktura, për të mbrojtur trafikun shtetëror të drogës të kryer nën mbrojtjen e ish-ministrit të Brendshëm, aktualisht deputet i PS. Nuk ka hetim pasuror për Fatmir Xhafën, si vëllai i një subjekti të OFL-së.
Çfarë do bëj, do hidhem përpjetë. Çdo vendim i gjykatës do zbatohet unë po them me fakte e prova që s’ka gjykatë që nuk e merr parasysh.
Fakti tjetër që prokurorët të gjithë por dhe gjyqtari që është marrë me çështjen janë larguar që të gjithë nga vettingu ose kanë dhënë dorëheqjen janë të gjithë më atë moment të caktuar për shkak se njihej si babai i reformës në drejtësi personi i përfshirë dhe njeri me pushtet politik ka pasur ndikimin e vet për të dhënë një vendimmarrje të caktuar.
Sot ata s’janë në sistemin gjyqësor çka i bën dhe të paragjykuar. Kjo çështje do shkojë në gjithë instancat gjyqësore.
Jam i bindur që do ketë vendimmarrje për pafajësi se s’mund të ketë dënim për denoncim publik”-deklaroi Salianji.