I riu Armando Kazma, i cili ndërroi jetë tragjikisht mbrëmjen e sotme teksa po luante kalçeto, është nipi i deputeti të PD-së Luan Baçi.
Ky i fundit ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për humbjen e ripit, të cilin e zunë poshtë mbajtëset metalike të kalçetos pas një ere të fortë.
“Të mori zoti shpejt djali i dajos, të deshi pranë vetes, të mirët kështu ikin! Na dhemb zemra bir, na trishtove, na plagose në zemër! Nuk e besoj dot Armando, kurrë nuk do ta besoj, jo ti nuk mund të largohesh nga ne! Nga Mami jot, nga babi, nga vëllai!
Nga të gjithë ne Armandua jonë! Pse bir, pse të deshi kaq shpejt zoti pranë vetes! Armandua jonë i mirë, kurrë nuk do të harrojmë, do të jesh gjithmonë pranë nesh, i miri ynë! Më fal Armando, më fal bir, lotët nuk më lënë të shkruaj, ndihem i dërmuar, nuk i them dot ato që ndjej! Të duam dhe do të duam pa fund, gjithë jetën sa të kemi frymë! Qofsh i parajsës bir, u prehsh në paqe zemër i dajos!”- shkruan Baçi.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme rreth orës 20:50 në një kalçeto në zonën e quajtur “Ura e Gajdarit”.
22-vjeçari u plagos pasi mbajtëset e mbulesës së kalçetos fluturuan në ajër dhe e goditën për shkak të një stuhie të fortë.
Ai u dërgua në spitalin e qytetit, por nuk arriti dot të mbijetonte.