SHBA mund t’i detyrohet botës një kompensim të madh për dëmin e shkaktuar nga pandemia Covid-19, kështu tha të mërkurën kryetari i Dumës së Shtetit Rus, Vyacheslav Volodin.
Këto komente ai i bëri duke iu referuar pretendimeve të revistës shkencore “The Lancet” për sëmundjen, që sugjeron se virusi SARS-CoV-2 mund të ketë origjinën nga një program amerikan kërkimor.
Duke folur në Madrid muajin e kaluar, ekonomisti Jeffrey Sachs e quajti situatën aktuale “një rrëmujë” dhe fajësoi udhëheqjen amerikane për të, duke e konsideruar pandeminë si një nga dështimet e SHBA-ve. Ai tha se ishte i bindur se virusi “doli nga bioteknologjia laboratorike amerikane” në vend që të evoluonte natyrshëm, duke përmendur përvojën e tij me revistën mjekësore autoritare britanike.
Siç shkruan RT, Volodin pohoi se qeveria amerikane nuk do t’i komentonte vërejtjet e ekonomistit Sachs sepse presidenti Joe Biden “ka frikë se bota do ta dijë të vërtetën për fajtorin e vërtetë të pandemisë”.
Zyrtari rus shtoi se vuajtjet e miliona njerëzve që u infektuan me virusin dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia ishin përgjegjësi e SHBA-ve. “SHBA duhet të kompensojë dëmin për të gjitha kombet e prekura.”- deklaroi ai.
Volodin shtoi se SHBA duhet të “ndalojë dhe deklasifikojë” “hulumtimin e saj të bioarmëve ushtarake”, duke iu referuar zinxhirit të biolaboratorëve të shpërndarë në të gjithë botën që marrin fonde nga Agjencia e Pentagonit për Reduktimin e Kërcënimeve të Mbrojtjes. Shtetet e Bashkuara thonë se ato përdoren për të zbuluar patogjenët në zhvillim, por disa vende, përfshirë Rusinë dhe Kinën, besojnë se ato mund të përdoren për kërkime klandestine ushtarake.
Vetë Sachs e quan vërejtjen e tij “provokuese” dhe ankohet se teoria “nuk po hetohet, as në Shtetet e Bashkuara, as askund“, pavarësisht nga provat.