Një kooperativë strehimi në qytetin Dippoldiswalde në Saksoni po pakëson furnizimin me ujë të ngrohtë për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të energjisë, raporton tabloidi gjerman Bild, duke cituar letrën e një qiradhënësi për qiramarrësit.
Sipas njoftimit, për 600 banesat e kooperativës nuk do të ketë më ujë të ngrohtë gjatë gjithë kohës, por vetëm me ndërprerje.
Qiramarrësit do jenë në gjendje të bëjnë dush të nxehtë midis orës 04:00 dhe 08:00, 11:00 dhe 13:00 dhe 17:00 dhe 21:00. Gjatë natës dhe ndërmjet këture kohëve në rubineta do ketë vetëm ujë të ftohtë.
“Nuk ka të bëjë me bezdisjen e qiramarrësve, por për t’u përshtatur me atë që mund të mos jemi në gjendje të paguajmë vitin e ardhshëm.” – tha anëtari i bordit Falk Kuhn-Meisegeier për Agjencinë Gjermane të Shtypit, duke shtuar: “Ne duam që qiramarrësit ta kalojnë mirë këtë krizë. Jeta është mjaft e shtrenjtë edhe kështu si është.”
Gjatë fundjavës, shefi mjedisor i qytetit të Hamburgut thuhet se paralajmëroi se uji i nxehtë mund të racionohet në qytet në rast të një mungese të gazit.
Kreu i Federatës Gjermane të Sindikatave Yasmin Fahimi shtoi një paralajmërim të mëtejshëm se ‘të gjitha industritë janë në rrezik të kolapsit të përhershëm: alumini, qelqi, industria kimike’, për shkak të shkurtimeve të gazit rus.
Muajin e kaluar, furnizuesi rus i energjisë Gazprom njoftoi se ishte i detyruar të zvogëlonte rrjedhat e gazit natyror në Gjermani përmes tubacionit Nord Stream me 60%, sepse turbinat e Siemens nga stacioni i tij i pompimit Portovaya në Vyborg ishin bllokuar në Montreal, ku ishin dërguar për t’iu nënshtruar mirëmbajtjes.
Pjesët bien nën sanksionet e Kanadasë ndaj Rusisë dhe Otava thotë se nuk mund t’i kthejë ato pa shkelur kufizimet.
Një ndërprerje e plotë e rrjedhës së gazit rus do e bënte jashtëzakonisht të vështirë për Gjermaninë rritjen e niveleve të depozitimit të gazit në 90% të dëshiruar deri në momentin që vjen dimri. Niveli i tanishëm thuhet se qëndron në 61%.
Më 11 korrik, Gazprom do të mbyllë Nord Stream për 10 ditë për mirëmbajtjen e planifikuar. Gjatë kësaj kohe të gjitha furnizimet e gazit në Gjermani nëpërmjet tubacionit do të pushojnë.