Bllokohet në Lezhë një autobus që udhëtonte nga Tirana në drejtim të Tropojës.
Kjo pasi zyrtarët e policisë kanë gjetur pas një kontrolli në mjet15 pako me kanabis në formë çokollate.
Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Linja”, është vënë në pranga shoferi i autobusit, shtetasi me inicialet A. I. 43 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Linja”.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Drogë e përpunuar si çokollatë, nga Tirana në drejtim të Tropojës, me autobus, Seksioni i Antidrogës në DVP Lezhë bllokon autobusin, sekuestron 15 pako me kanabis në formë çokollate dhe vë në pranga drejtuesin e autobusit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara se në pjesën e bagazheve, në autobusin e linjës “Tiranë – Tropojë”, kishte lëndë narkotike të përpunuar si çokollatë, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Linja”.
Gjatë këtij operacioni, në Kurbin, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin, ku dyshohej se ishte lënda narkotike dhe pas kontrollit në pjesën e bagazheve, në këtë autobus, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 15 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 3.1 kilogramë.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shoferi i autobusit, shtetasi A. I. 43 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.