Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 muaj burg një 53-vjeçar që akuzohet se kërcënoi ish-kreun e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Klement Zguri.
Qytetari nga Shkodra do të akuzohet për “Kanosje për shkak të detyrës”. Vendimi për të u dha në mungesë.
“Ta vras familjen m..”– ishte mesazhi që mbërriti në adresën e rrjetit social “Facebook” të Klement Zgurit më 4 korrik 2019, kohë kur ai ushtronte detyrën e kryetarit të KQZ-së. Mesazhi ishte dërguar pak minuta pas shpalljes së rezultateve të dy bashkive të vendit, për zgjedhjet lokale.
Zguri pas mesazhit kërcënues ka depozituar kallëzim në policinë e Tiranës, e cila nisi hetim për kanosje për shkak të detyrës. Kreu i KQZ-së dhe familja e tij atë kohë u morën në mbrojtje nga Garda dhe Policia.
Vetë Zguri i cili ishte i pranishëm në seancë është shprehur se ndihej keq që gjërat shkuan në këtë mënyrë dhe nëse do të pyetej më herët, do të hiqte dorë nga ankimi.