Një 35-vjeçar është arrestuar nga Policia e Vorës pasi dyshohet se ka vjedhur karburant në një firmë ndërtimi.
Shtetasi J.S dyshohet se ka vjedhur 172 litra karburant nga ekskavatori i firmës dhe më pas ja ka shitur shtetasit P.K i cili kishte dijeni që karburanti ishte i vjedhur.
Në prangat e policisë ka përfunduar edhe blerësi shtetasi P.K 31 vjeç.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fuel”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit:
– J. S., 35 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Vjedhja”;
– P. K., 31 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi J. S., ka vjedhur rreth 172 litra karburant, nga ekskavatori i një firme ndërtimi dhe më pas ia ka shitur shtetasit P. K., i cili ishte në dijeni që karburanti që kishte blerë, ishte i vjedhur.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.