Presidenti në detyrë i Republikës, Ilir Meta nuk ka vonuar me firmosjen e ligjeve për ratifikimin e protokollit për aderimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë.
Kuvendi i Republikës i votoi protokollet më datë 7 korrik, ndërsa Presidenti vetëm 4 ditë më vonë dekretoi të dy ligjet.
Në njoftimin e presidencës thuhet “anëtarësimi i këtyre vendeve mike patjetër që është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria”.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje ligjet si vijon:
– Ligj nr. 56/2022 “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës”;
dhe
– Ligj nr. 57/2022 “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë”.
Republika e Shqipërisë ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e Republikës së Finalndës dhe të Mbretërisë së Suedisë në NATO.
Anëtarësimi i këtyre vendeve mike patjetër që është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria.
Jemi të bindur se anëtarësia e tyre do të ndikojë në forcimin e kontributit të përbashkët në këtë aleancë.
Së bashku qëndrojmë më të fortë!