Tre turistë çekë janë shpëtuar nga policia pasi kishin humbur në malet e Valbonës.
Për shkak të terrenit të vështirë e mjegullës ndërhyrja nga ajri ka qenë fillimisht e pamundur.
Kësisoj policia ka ndërhyrë nga toka e pas disa orësh kërkime i ka gjetur tre turistët në vendin e quajtur ‘Maja e Boshit’.
Ata janë shoqëruar fillimisht për rreth dy orë në vendin e njohur si Bjeshkët e Vashqefenit e më pas prej me helikopter në qendrën shëndetësore të Lekbibajt ku kanë marrë ndihmën e duhur mjekësore.
Njoftimi
“Tropojë/Informacion shtesë
Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për 3 turistë çek, të cilët, duke eksploruar zonën e Valbonës, kanë mbetur të bllokuar, ju informojmë se:
Për shkak të terrenit të thepisur dhe mjegullës së zonës, nuk është bërë e mundur ndërhyrja me helikopter, në zonën ku ata kishin mbetur të bllokuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, me qëllim shpëtimin e turistëve, në bashkëpunim me ekipin e qendrës shëndetësore të fshatit Lekbibaj, kanë ndërhyrë në këmbë për të kontrolluar zonën.
Pas disa orësh kërkimesh intensive në tërrenin e thepisur të Valbonës, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Maja e Boshit”.
Punonjësit e Policisë fillimisht i nxorën turistët nga terreni i rrëzikshëm ku ishin bllokuar dhe më pas i kanë transportuar të tre shtetasit çek, për rreth 2 orë, deri në Bjeshkët e Vashqefenit, ku ishte e mundur ulja e helikopterit.
Më pas turistët, me ndihmën e helikopterit, janë transportuar në qendrën shëndetesore të fshatit Lekbibaj, ku morën asistencën mjekësore dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.”