Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria u kërkon britanikëve të ulin ngrohjen në banesa e të ndryshojnë orarin e gatimit


Publiku britanik duhet të pakësojë ngrohjen e tij dhe të ndryshojë orën kur hanë darkë këtë dimër në mënyrë që të shmangin ndërprerjet e energjisë elektrike, kanë paralajmëruar këshilltarët e qeverisë.

Planifikimi i emergjencës nga Komisioni Kombëtar i Infrastrukturës në Mbretërinë e Bashkuar ka paralajmëruar se deri në gjashtë milionë familje mund të përballen me ndërprerje të energjisë nëse ka probleme shtesë të furnizimit me importet ruse të energjisë.

Për të parandaluar ndërprerjet në muajt e dimrit, kreu i infrastrukturës Sir John Armitt tha se njerëzve duhet t’u thuhet të ulin termostatet e tyre dhe të mos gatuajnë gjatë orëve të pikut, si nga ora 18:00 deri në 20:00, në mënyrë që të zvigëlohet kërkesa kombëtare për furnizime me gaz. .

“Qeveria mund t’u kërkojë njerëzve të ulin termostatet e tyre. Do të habitesha nëse qeveria nuk do ta bënte këtë gjë këtë dimër.” – tha Sir John për The Telegraph.

Duke sugjeruar se çfarë masash mund të merren nga publiku, ai tha: “Njerëzit do të duhet të ndryshojnë modelet e tyre të gatimit. A duhet t’i ngrohim shtëpitë tona në 21 gradë Celsius apo është më efikase të kemi një temperaturë më të ulët të qëndrueshme?”

Thirrja për racionimin e përdorimit të energjisë vjen mes paralajmërimeve nga firma e konsulencës Cornwall Insight se kufiri i çmimit të energjisë, një masë socialiste në Mbretërinë e Bashkuar që supozohet se synon të mbajë çmimet e energjisë të ulëta për familjet me të ardhura të mesme dhe më të ulëta, është në ritmin për të arritur 3,245 stërlina deri në tetor, gati një mijë paund më i lartë se vlerësimet e mëparshme.

Kufiri i çmimit të energjisë, i cili ka bërë që disa ofrues më të vegjël britanikë të energjisë të detyrohen të mbyllen kur nuk mund të siguronin më energji me tarifat e vendosura nga diktati i qeverisë, mund të shohë rritje të mëtejshme në 3,364 stërlina deri në fillimin e vitit të ri, tha firma konsulente.

Konsulenti i lartë Dr. Craig Lowrey tha: “Ka gjithmonë njëfarë shprese që tregu të stabilizohet dhe të tërhiqet në kohë për vendosjen e kufirit të janarit. Sidoqoftë, me shpalljen e kufirit të tetorit vetëm një muaj larg, çmimet e larta të shitjes me shumicë tashmë po rriten, me pak shpresë për lehtësim nga faturat e larta të parashikuara të energjisë.”

Mbretëria e Bashkuar nuk është i vetmi vend që përballet me racionimin e energjisë. Gjermania, e cila është një nga vendet evropiane më të varura nga energjia ruse, tashmë ka filluar të racionojë në disa zona, me qiradhënësin më të madh të vendit, Vonovia, duke thënë se do të kufizojë ngrohjen qendrore në 17 gradë Celsius ndërmjet orës 23:00 dhe 6 e mëngjesit në 490,000 apartamentet e saj.

Shteti gjerman i Saksonisë ka vendosur gjithashtu afate kohore në të cilat banorët do të lejohen të bëjnë dush, raporton Financial Times.