Vendosni fjalën kyçe....

“Bashkimi i serbëve në një shtet”, Ministrja e Energjisë: Deklarata e Vulinit nuk është qëndrimi ynë zyrtar


Ministrja e Minierave dhe Energjisë në Serbi, Zorana Mihajloviç thotë se deklarata e ministrit Aleksandar Vulin për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet nuk është qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë.

“Ajo deklaratë nuk është politikë zyrtare e Qeverisë së Serbisë, pavarësisht se Qeveria është në mandat teknik. Si qytetar, ai ka të drejtë të shprehë të gjitha dëshirat, aspiratat dhe ëndrrat e tij, por ky nuk është qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë.”– u tha Mihajloviç gazetarëve pas Forumit të Komunitetit të Energjisë për Tranzicion të Drejtë në Sarajevë.

Zorana Mihajloviç theksoi se është koha që politikanët në rajon të kuptojnë se është e nevojshme të mos merren me të kaluarën, por të punojnë në projekte të përbashkëta që do të përmirësojnë ekonominë dhe do t’u sjellin qytetarëve një standard më të mirë të jetesës.

“Mesazhi për të gjithë ne në politikë është të lëmë gjithçka në të kaluarën, nuk mund të shpëtojmë prej saj, por është koha për të gjetur mënyra të përbashkëta për të bashkëpunuar dhe për t’u angazhuar për atë që do të sigurojë kushte më të mira për jetën e qytetarëve tanë, gjeni interesin më të vogël të përbashkët, ai është ekonomia, ai është edhe energjia.”– tha Mihajloviç sipas medieve serbe.

Sipas minitres Mihajloviç, rajoni duhet të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, për stabilitet shtesë.

Ky reagim i saj vjen pasi ministri Vulin, në një intervistë për gazetën serbe “Politika” u shpreh se “mënyra e vetme që Ballkani të mbetet stabil, është që serbët të jetojnë në një shtet”.