Vendosni fjalën kyçe....

Në mes të luftës, Ukraina do të shqyrtojë legalizimin e martesave të të njëjtit seks


Në mes të luftës me Rusinë, në Ukrainë ka nisur një peticion që bën thirrje për legalizimin e martesave mes personave të të njëjtit seks, peticion i cili ka marrë nënshkrime të mjaftueshme që presidenti të shqyrtojë propozimin.

Siç shkruan BBC, peticioni ka mbledhur më shumë se 28 mijë firma, që do të thotë se presidenti Volodymyr Zelensky tani ka 10 ditë për t’u përgjigjur.

Homoseksualiteti nuk është i paligjshëm në Ukrainë, por martesat e të njëjtit seks dhe partneritetet civile nuk njihen.

Kjo ka shkaktuar probleme të veçanta për personat LGBT që regjistrohen në ushtri pas pushtimit të Rusisë. Për shembull, sipas ligjit ukrainas, nëse dikush në një marrëdhënie të të njëjtit seks vdes, partneri i tij nuk mund t’ia marrë trupin apo ta varrosë.

Peticioni online thotë: “Në këtë kohë, çdo ditë mund të jetë e fundit”.

Një organizatë LGBT e ka përshkruar peticionin si një “moment të rëndësishëm” për anëtarët e komunitetit.

“Është e rëndësishme që personat LGBTQ të kenë të drejtën të shohin partnerin e tyre, të marrin trupin e tyre nga morgu dhe të kërkojnë kompensim nëse është e nevojshme.”- tha për BBC-në Oksana Solonska, menaxhere e komunikimit me media në Kyiv Pride.

“Të gjitha çiftet e martuara i kanë këto të drejta. Ne vërtet shpresojmë që martesat e të njëjtit seks do të legalizohen, kështu që njerëzit do të jenë në gjendje të kujdesen për njëri-tjetrin.”- shtoi ajo.

Çdo peticion në Ukrainë që mbledh më shumë se 25 mijë firma automatikisht shqyrtohet nga presidenti. Megjithatë, kjo nuk garanton ndonjë ndryshim në ligjin aktual dhe nuk është e qartë nëse Zelensky do të lëvizë për legalizimin e martesës së të njëjtit seks apo jo.