Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel ku ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në konferencën e përbashkët me Stoltenberg, Rama kërkoi që Kosova të përfshihet në partneritetin për paqen ndërsa shtroi nevojën e një dialogu të përhershëm mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Serbinë.
Ai gjithashtu konfirmoi lajmin se Shqipëria do të vendosë në funksion të Aleancës një bazë detare të teknologjisë së fundit, që pritet të ndërtohet në zonën e Porto Romanos.
“Është një nder që kthehem dhe kam mundësi të ndaj me ju disa opinione pas samitit të Madridit që ishte moment historik për aleancën transatlantike në përgjigje të sigurisë europiane. Parlamemti shqiptar u bë një prej vendeve të para për të ratifikuar protokollet. Ne qëndrojmë me forcë në solidaritet të plotë me Ukrainën.
Është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin territorial të Ukrainës, Mbështetje që është më e palëkundur se kurrë. I qëndrojmë detyrimeve që ne kemi në Ballkanin Perëndimor që të parandalojmë çdo përshkallëzim. Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe vend kandidat për në BE do vazhdojmë rolin tonë në mbështetje të paqes rajonale dhe stabilitetit. Ndërkohë që koncepti i ri strategjik thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO besojmë se është e rëndësishme të vazhdojmë një dialog të përhershëm me vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Serbinë. Pata njëherë shansin të them atë që kam përmendur në Samit.
Nevojën për përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe. E vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë të rëndësishme në logjistikën e aleancës tonë duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend ku mund të ndërtojmë duke pasur parasysh sfidat e kohës sonë. Është përherë kënaqësi të kthehesh këtu dhe është gjithnjë e dobishme të kthehesh me dobi të plota dhe t’i shërbesh kësaj aleance.”– tha Rama.
Sekretari i Përgjithshm i NATO-s nga ana tjetër falenderoi Shqipërinë për miratimin e protokolleve të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancë.
Stoltenberg vlerësoi kontributin e Shqipërisë për mbështetjen e dhënë ndaj Kievit.
“Në samitin e Madridit morëm vendime shumë të rëndësishme. Ramë dakord që të ftojmë Suedinë dhe Finlandën dhe falenderoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve kaq shpejt. Mirëpritja e Finlandës dhe Suedisë do të rrisë sigurinë e tyre dhe të aleancës.
NATO qëndron me Ukrainën ndërkohë që mbron veten e saj ndaj mizorive ruse. Vlerësoj angazhimin tuaj dhe Shqipërisë në mbështetjen ndaj Ukrainës.”– tha Stoltenberg.