Vendosni fjalën kyçe....

Dhoma Amerikane e Tregtisë kundër amnistisë fiskale: Nuk përjashton kriminelët dhe rrezikon reputacionin e vendit


Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka reaguar lidhur me projektligjin e amnistisë fiskale, të cilin e kritikon ashpër.

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, ky projektligj nuk ofron garanci të mjaftueshme që individët e implikuar në veprimtari kriminale do të përjashtohen nga amnistia.

“Dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia.

Zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, nëpërmjet tre situatave të ndryshme:

Shmangia e pasojave të sistemit gjyqësor;

Investimi i fondeve nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale…”- thuhet në reagimin e Dhomës.

Ndër të tjera, në këtë deklaratë thuhet se nëse miratohet, legjislacioni do të minonte përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, duke shpërblyer konkurrencën e pandershme.

Po ashtu reputacioni i vendit do të dobësohej. Ndaj Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri rekomandon tërheqjen e kësaj nisme.

Deklarata e plotë:

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) vëren shqetësime serioze mbi draft-ligjin për amnistinë fiskale, të propozuar së fundmi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Edhe pse akti i ri ka disa ndryshime nga iniciativa e mëparshme e qeverisë e ndërmarrë në vitin 2020, këto ndryshime nuk janë aq thelbësore për të ndryshuar rreziqet e ngritura prej saj dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, si FMN-ja dhe Komisioni Evropian. Për këtë arsye, qëndrimi i Dhomës Amerikane, bazuar në opinionin teknik të ekspertëve të Komiteteve është si më poshtë:

Dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia.

Zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, nëpërmjet tre situatave të ndryshme:

Shmangia e pasojave të sistemit gjyqësor;

Investimi i fondeve nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale;

Pagesa e një norme tatimore më të ulët (5-10%) në krahasim me ato të përfshira në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32%. Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen.

Pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale.

Shqetësimi ynë kryesor është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE. Prandaj, nëse ky draft nuk merr mbështetjen publike të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë garanci publike nga organizatat monitoruese si Moneyval, FMN etj, Dhoma gjykon se kjo iniciativë do të jetë një hap në drejtim të gabuar, gjë që do të dëmtonte reputacionin e vendit për të bërë biznes me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ulte mundësinë për të tërhequr investime të huaja në vend. Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme.