Për të katërtën ditë me radhë zjarri po shkrumbon sipërfaqe të mëdha pemësh e bimësh në Malin e Çikës.
Deri tani sipërfaqja e djegur është rreth 13 hektarë ndërsa ndëhyrja për shuarjen e flakëve paraqitet e vështirë për shkak të terrenit.
Shqipërisë i mungojnë mjetet e specializuara nga ajri e toka për të vënë nën kontroll flakët në terrene të vështira.
E njëjta gjendje u vërejt gjatë zjarrit që përfshiu Ishullin e Sazanit pak javë më parë. Ato vijuan për disa ditë më radhë ndërsa forcat e ushtrisë dhe të emergjencave në terren u panë duke u përpjekur të fikin flakët me copa shkurresh e mjete të tjera rrethanore e me lopata.
Atyre u mungonin krejtësisht pajisjet e specializuara për shuarjen e flakëve apo mbrojtjen e vetes ndërsa vetëm një nga katër helikopterët e blerë nga Shqipëria për emergjencat e ndryshme ishte në gjendje pune.
Ministri Peleshi ndaloi më pas publikimin e fotove dhe videove nga ndërhyrja në Sazan ndërsa kritikoi ata që sipas tij e shtonin peshën e flakëve nëpërmjet tastierave të komopjuterave apo celularëve.
Për të ndihmuar në shuarjen e flakëve u desh ardhja e një mjeti të specializuar nga jashtë vendit. Në një raport të KLSH-së, u theksua se Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile, shkelën ligjin për sa i përket menaxhimit të zjarreve në vend gjatë periudhës korrik-gusht 2021.
Në raportin e KLSH-së u gjet se ishte shkelur ligji për marrjen me qira të helikopterëve për shuarjen e zjarreve pasi ato janë paguar për rrugën Berlin-Tiranë ndërkohë që duhet të paguheshin për fluturimet në Shqipëri.
Në auditimin e Emergjencave Civile për vitin 2021 thuhet se kompania e helikopterëve u pagua mbi 36 milionë lekë për 89 orë punë dhe se kompania duhet t’i kthejë shtetit 4.6 milionë lekët e pagesës për rrugën Berlin-Tiranë.
Po kështu në raport u vërejt se nga katër helikopterë ‘Cougar’ që ka ushtria, vetëm njëri prej tyre është në gjendje pune dhe se forcat zjarrfikëse në vend nuk kanë veshje e pajisje speciale për menaxhimin e zjarreve. /Hashtag.al