Vendosni fjalën kyçe....

BE shqyrton racionimin e gazit në gjithë bllokun, çmimet pritet të trefishohen deri në vitin 2023


Bashkimi Evropian po shqyrton racionimin e gazit në të gjithë bllokun me shpresën për të luftuar mungesat këtë dimër, teksa publikut i është thënë se duhet të presë një trefishim të çmimeve.

Ndërsa furnizimet ulen dhe çmimet po rriten, Bashkimi Evropian tani në dukje po frikësohet se një pikë thyerjeje mund të jetë së shpejti në vendet e tij anëtare, me Komisionin që tani thuhet se po harton një plan racionimi emergjent nëse Rusia vendos të ndërpresë eksportet e saj të energjisë tërësisht.

Ndërkohë, publiku i gjerë ka filluar të shqetësohet në Gjermani, me sondazhet e fundit që sugjerojnë se mbi 60 për qind e njerëzve në vend kanë frikë se nuk do të ketë gaz të mjaftueshëm këtë dimër, ndërsa agjencia federale e rrjetit të gazit të vendit ka thënë konsumatorët e karburantit presin që çmimet të trefishohen deri në vitin 2023.

Sipas një raporti të ‘Die Welt’, projektmasat e BE-së që synojnë frenimin e përdorimit të gazit do përfshijnë kufizimin e ngrohjes së ndërtesave publike dhe tregtare në 19 gradë Celsius gjatë muajve të dimrit.

Familjet private gjithashtu do të nxiten shumë që të ulin termostatet e tyre.

“Veprimi tani mund të zvogëlojë efektet e një ndërprerjeje të papritur të furnizimit me një të tretën.”  -thuhet në draft propozim, përpara se të vihet në dukje gjithashtu se ‘të gjithë tani mund të kursejnë gaz’ dhe se ‘sa më i lartë të jetë pakësimi nëpërmjet masave vullnetare, aq më pak nevoja për kufizime të detyrueshme për industrinë’.

Masat evropiane thonë gjithashtu se banesat dhe spitalet do të kenë përparësi në rast të mungesës së gazit të shkaktuar nga ndërprerja e furnizimeve nga Rusia.