Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm i Italisë drejton gishtin nga Rusia për krizën qeveritare: Moska po feston tani


Kriza e vazhdueshme e qeverisë në Itali po i shërben Kremlinit, ka pohuar ministri i Jashtëm Luigi Di Maio.

Trazirat po pengojnë aftësinë e Romës për të ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën, si dhe për të siguruar kontrata të reja energjetike, tha ministri për Politico në një intervistë të premten.

Kritikët e kryeministrit Mario Draghi po bëjnë në mënyrë efektive punën e presidentit rus Vladimir Putin, sugjeroi Di Maio, duke u kërkuar partive politike italiane të mos rrëzojnë qeverinë në një votëbesim të ardhshëm javën që vjen. Draghi ka qenë në mesin e liderëve perëndimorë që e kundërshtoi fuqishëm Rusinë për operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, pohoi ministri.

“Rusët po festojnë tani për shkak të rënies së një qeverie tjetër perëndimore.” – tha Di Maio.

Qeveria italiane ra në rrëmujë në fillim të kësaj jave kur Draghi u përball me një votëbesim në parlament. Ndërsa ai i mbijetoi me lehtësi me 172-39, votimi u bojkotua nga Lëvizja Pesë Yjet, partia më e madhe në qeverinë e koalicionit të gjerë të Draghit.

Kryeministri njoftoi dorëheqjen e tij pas votimit, duke përmendur humbjen e mbështetjes nga partneri më i madh i koalicionit dhe duke deklaruar se kushtet për të qeverisur ‘nuk ekzistojnë më’.

Dorëheqja e tij, megjithatë, u hodh poshtë nga presidenti italian Sergio Mattarella. Draghi do kthehet në parlament të mërkurën, duke mbajtur potencialisht një votim për qeverinë e tij ose duke dhënë sërish dorëheqjen.

Kryeministri, i cili më parë drejtonte Bankën Qendrore Evropiane, u emërua kryeministër i Italisë në fillim të vitit 2021 në një përpjekje për të ndihmuar vendin të përballet me pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

Megjithatë, ai është përballur me kritika të vazhdueshme nga lideri i Lëvizjes Pesë Yjet dhe ish-kryeministri Giuseppe Conte për një sërë çështjesh. Tensionet u përkeqësuan lidhur me mbështetjen e Italisë për sanksionet anti-ruse dhe mbështetjen e saj për Kievin, duke shkaktuar përfundimisht një ndarje në Lëvizjen Pesë Yje.

Di Maio tha se veprimet e Contes ishin ato që ‘e lëndonin atë më shumë’.

“Gjëja e pabesueshme është se një ish-kryeministër sulmon Draghin, duke ndihmuar propagandën dhe autokracinë e Putinit mbi demokracinë.” – tha ministri.

Trazirat politike sjellin telashe edhe për vetë Italinë, vazhdoi Di Maio, pasi rënia e mundshme e qeverisë do të rrezikonte aftësinë e Romës për të siguruar kontrata të reja energjie përpara dimrit.

“Nëse qeveria bie të mërkurën, ne nuk do të kemi fuqi për të nënshkruar ndonjë kontratë të re energjetike dhe kjo është serioze sepse jemi në dimër.” – shpjegoi ministri.