Vaksinat kundër Covid-19 çojnë në menstruacione jonormale në pothuajse gjysmën e marrësve, ka zbuluar një studim i ri.
Botuar në revistën ‘Science Advances’, sondazhi u krye nga studiues nga Universiteti i Illinois dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Uashingtonit. Në prill 2021, afro 40,000 femrave të moshave të ndryshme nga e gjithë bota iu kërkua të plotësonin një pyetësor në internet për ciklet e tyre menstruale, me shkencëtarët që më vonë analizuan dhe sistemuan përgjigjet.
Studiuesit thonë se ata e nisën studimin pas një sërë raportesh nga fillimi i vitit 2021 e tutje, që përshkruanin gjakderdhje të pazakontë menstruale tek gratë dhe burrat transgjinorë që kishin bërë një vaksinë Covid-19.
Sipas gjetjeve të studimit, 42% e të anketuarve që kishin pasur më parë cikle të rregullta raportuan gjakderdhje më të rëndë pas marrjes së vaksinës. Në të njëjtën kohë, 44% nuk vunë re asnjë ndryshim ndërsa 14% e tjerë raportuan perioda më të lehta.
Për më tepër, pjesëmarrësit e tjerë që zakonisht nuk kanë menstruacione, duke përfshirë burrat transgjinorë dhe gratë pas menopauzës dhe ata me kontraceptivë me veprim të gjatë, gjithashtu përjetuan gjakderdhje të pazakontë.
Të anketuarit kishin marrë vaksinat Pfizer-BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson ose një tjetër që ishte miratuar jashtë Shteteve të Bashkuara. Pjesëmarrësit thanë gjithashtu se asnjë prej tyre nuk ishte infektuar me Covid-19 përpara se të vaksinohej.
Studimi, më i madhi i këtij lloji deri më sot, duket se vërteton gjetjet e anketave të mëparshme, më të vogla.
Studiuesit, megjithatë, theksojnë se ndryshimet e vërejtura në ciklet e grave janë vetëm të përkohshme dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të përdoren për të vënë në pikëpyetje efikasitetin e përgjithshëm dhe sigurinë e vaksinave Covid 19.
Autorët thanë se shpresojnë se më shumë transparencë rreth efekteve anësore të vaksinave Covid 19 mund të ndihmojë në uljen e hezitimit dhe frikës së njerëzve.