Deputeti i Bundestagut në radhët e CDU-së, njëherazi kryetar i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor, Johann Wadephul, vlerësoi konferencën e parë ndërqeveritare që shënon çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqiopërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë ai theksoi se nuk do bëhet asnjë tolerim për sa u përket kritereve. Wadephul përmendi ndër të tjera se veçanërisht për Shqipërinë parlamenti gjerman ka formuluar kritere të qarta.
Wadephul përmendi pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit e lirinë së shtypit, të cilat sipas tij nuk janë përmbushur ende.
“Negociatat për anëtarësimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë priten te ndodhin tani afër. Ky është një hap historik drejt rrugës se integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE. Negociatat duhet të fillojnë tani shpejt në mënyrë që më në fund të ndezin një dinamikë të re pozitive. Deputetët e parlamentit të Maqedonisë së Veriut kanë treguar largpamësi. Ata janë shprehur pro një propozimi kompromisi nga Franca që po kërkon shumë prej tyre. Por kjo hap derën për në BE. Mbetet për të shpresuar se ky hap është gjithashtu mënyra për të promovuar bashkëjetesën multietnike në të gjithë rajonin dhe për të ulur tensionet. Megjithatë, duhet të jetë po aq e qartë se ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim ndaj kritereve të anëtarësimit. Për Shqipërinë në veçanti, Bundestagu ka formuluar kritere të qarta për pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shtypit. Këto kritere ende nuk janë përmbushur. Pres që qeveria e Edi Ramës t’i zbatojë këto reforma me guxim dhe qe BE-ja të kërkojë përmbushjen e tyre gjatë bisedimeve.” – deklaroi Wadephul.
Sot u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së nga njëra anë e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër. Ajo erdhi 16 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Brukselit me Tiranën e 8 vite pas marrjes së statusit kandidat nga ana e Shqipërisë.