Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për sulmin kibernetik ndaj portalit e-albania.
Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për katër vepra penale.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka nisur hetimet për ndërhyrjet dhe sulmin kibernetik të kryer ndaj portalit e-Albania, që sollën mbylljen e përkohshme të shërbimeve online.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedim penal për veprat penale:
“Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”;
“Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”;
“Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”; dhe
“Keqpërdorimi i pajisjeve parashikuar nga nenet 293/1, 293/b, 293/c dhe 293/ç të Kodit Penal”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ditën e premte të javës së kaluar portali e-albania dhe shërbimet e tjera online qeveritare u përfshinë nga një sulm kibernetik ende i paidentifikuar.
Kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat tha se pas sulmit janë dy shtete jo mike me Shqipërinë por pa specifikuar asnjë emër.
Ndërkohë shërbimet në e-albania janë rikthyer pjesërisht dhe po punohet për rikthimin e të tjerave.