Gjykata e Shkodrës nuk ka qenë dakord me kërkesën e prokurorisë duke ndryshuar masën e sigurisë së kërkuar për 14 punonjësit e policisë që akuzohen se abuzuan me tenderin për rikonstruksionin e Komisariatit.
Ish shefi i rendit Saimir Rrustemi është lënë në arrest shtëpie së bashku me Luida Ujkan, Mustaf Ishmakun, Xhavit Isufin, Rudina Keqin, Klement Tolen, Paulin Prendin, Rrezert Prelën dhe Veronika Xhafajn. Ndërsa Arsenida Hadri dhe Briland Mnela janë lënë në detyrim paraqitje.
14 punonjës të policisë dhe ish-zyrtarë, përfshirë ish-shefin e Rendit, Saimir Rustemi dhe punonjës të administratës së Policisë së Shkodrës, u arrestuan pasi akuzohen se kanë favorizuar subjekte të ndryshme në periudha të caktuara për të përfituar fiktivisht tendera me vlera të vogla në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Sipas hetimeve të Prokurorisë veprimet e dyshuara janë kryer gjatë periudhës 2020-2021dhe punonjësit e Auditimit, siç thotë organi i akuzës, dyshohet se në mënyrë të qëllimshme nuk kanë pasqyruar shkeljet e kryera me procedurat e prokurimit.