Bajram Begaj merr zyrtarisht postin e Kreut të Shtetit. Ai sapo ka bërë betimin sot në Kuvend, për marrjen e detyrës së re.
Në ditën më të rëndësishme të karrierës së tij, Begaj ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy djemtë.
Pas betimit me dorën në zemër dhe mbi Kushtetutë, Begaj u ngjit në foltore dhe mbajti një fjalim para deputetëve.
Ai tha se maxhoranca dhe opozita duhet të gjejnë rrugën e bashkëpunimit përpara konfliktitm ndërsa shtoi se po jetojmë një periudhë të vështirë për shkak të luftës në Ukrainë.
“E nderuar zonja kryetare e Kuvendit, i nderuar zoti kryeministër, të nderuar ministra, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të komuniteteve fetare, të dashur qytetarë!
Është nder për mua t’i drejtohem Kuvendit si president i republikës. Jam i vetëdijshëm se mbi privilegjin e Presidentit të Republikës, rëndon përgjegjësia e unitetit kombëtar.
Shqipëria jonë e dashur ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme europiane. Shqipëria europiane sot premtim dhe nesër realitet është kurora e ëndrrës më të bukur, është përmbushja e ëndrrës shekullore dhe bekimi i së ardhmes. Unë e njoh dhe mbështes punën e qeverisë dhe opozitën shqiptare.”- tha Begaj.
Gjatë fjalimit të tij të parë si presidenti i ri i Republikës, Begaj ka deklaruar se ai nuk do qëndrojë neutral ndaj konflikteve politike, as ndaj atyre që sipas tij vendosin interesin personal mbi atë kombëtar.
“U betova sot se do t’i shërbej Kushtetutës, interesit kombëtar dhe përparimit të popullit shqiptar dhe të përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të Kushtetutës. Këtë mision do ta kryej mbi palët.
Por unë nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që bie ndesh mbi këtë betim, ndaj asnjërit që vendos interesat personale përpara interesave të kombit tonë.
Do të mbështes me këmbëngulje dhe institoj përherë në bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike, në gjetjen e gjuhës së përbashkët, në gjetjen e rrugëve, qoftë edhe shtigjeve të përbashkëta, sepse në fund ne jemi shërbyes të qytetarëve dhe konflikti nuk është asnjëheë shërbyer i mirë.”– tha ai.
Në seancë mungojnë kryetari i PD-së Sali Berisha dhe deputetët mbështetës të tij. Megjithatë nga PD ka disa deputetë të pranishëm, si Ervin Salianji, Ina Zhupa, Jorida Tabaku dhe Lulzim Basha.
Kujtojmë se Begaj, mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë së seancën parlamentare të 4 qershorit me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Nga 83 deputetë që morën pjesë në votim.
Kush është Bajram Begaj
Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.
Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.
Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.
Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake.
Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze.
Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.