Vendosni fjalën kyçe....

“Do të përgjigjeni personalisht”- Çuçi paralajmëron krerët e Policisë për muzikën përtej orarit dhe motorat e ujit që rrezikojnë pushuesit


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thirri sot në një takim drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet e zonave bregdetare dhe shefat përkatës të komisariateve lidhur me sezonin veror.

Ai i ka paralajmëruar drejtuesit e Policisë në qarqet e zonave bregdetare se “do kenë punë me të” nëse lejojnë muzikën pas orës 11 të natës gjatë javës dhe motorat e ujit që rrezikojnë pushuesit.

Çuçi tha se s’do ketë tolerime nëse nuk e marrin seriozisht këtë punë.

“Siç ndodh zakonisht dihet që kulmi pritet në muajin gusht. Pavarësisht se kemi bërë përmirësime të shumta nga vitet e kaluara sërish po shohim fenomene që kurrsesi nuk duhen toleruar.”– tha ai.

Çuçi kërkoi respektimin e orarit të lejuar të muzikës pa asnjë përjashtim për të gjithë subjektet.

“Është e patolerueshme të ketë biznese me muzikë pas orës 11 të natës gjatë javës dhe pas orës 12 në fundjavë. Do të keni punë me mua nëse nuk e merrni seriozisht këtë punë. Më keq akoma kur në ndonjë rast ka subjekte që tolerohen duke prishur kështu edhe konkurrencën në biznes e duke krijuar pakënaqësi. Ligji është i njëjtë për të gjithë.”- tha ministri Çuçi.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.